Kosova është kundër Mini Shengenit Ballkanik. Idenë e nisur në Serbi nga Presidenti Aleksandar Vucic, Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Prishtina e konsideron të dëmshëm si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skënder Krasniqi, i kërkon Qeverisë së ardhshme të Kosovës që të rishikojë marrëveshjet e CEFTA-s dhe MSA-së, pasi sipas tij kanë dëmtuar dhe shkatërruar prodhimin vendas.
“Kosova nuk ka përfituar asgjë nga këto marrëveshje, përkundrazi ka pësuar dëme të jashtëzakonshme”, thotë Krasniqi.
Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, i kërkon Shqipërisë që ta shikojë Serbinë me sytë e Kosovës, dhe dakordësinë për Mini Shengenin Ballkanin e konsideron të gabuar.
Gjatë takimit të Novi Sadit, Vuçiç, Rama dhe Zaev u dakordësuan që brenda vitit 2021 të eliminojnë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit.