Aleatët e Partisë Demokratike kanë paralajmëruar se do të futen në Parlament pavarësisht vendimeve që do të marrin demokratët.
PD ende nuk ka marrë një vendim nëse do të pranojë ose jo mandatin, por sido që të jetë vendimi, Shpëtim Idrizi, Agron Duka dhe aleatët e tjerë, pritet që të futen në Kuvend në shtator. Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka konfirmuar se me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator, do të jetë në Kuvend. Gjatë një prononcimi për mediat, nga sheshi “Skënderbej” në kuadër të aktivitetit për javën çame, Idrizi tha se do të jetë në Kuvend bashkë me deputetët e tij.
Ai theksoi, se do të rikthehet çështja çame në Parlament. “Padyshim në shtator jemi në Parlament për të paraqitur iniciativa ligjore për çështjen çame. Të gjithë kanë heshtur për çështjen çame. Do të rikthehet çështja çame në parlamentin e Shqipërisë, do të tentojë të thyejë heshtjen mbi çështjen çame”, u shpreh Idrizi.
Por hipokrizia është se së pari Basha i dha 2 mandate deputeti PDIU. Idrizi dhe Mesila Doda do të jenë deputetë këtë vit falë PD, pasi nëse do kishin qëndruar jashtë vijës së kuqe në lista, asnjëri nuk do merrte dot mandat.
Doda është ndër deputetet më pak të votuara. Ndërkohë ajo që bie në sy është se Idrizi gjithë këto vite në opozitë nuk foli një herë për çështjen çame. Ka qenë në qeveri për shumë kohë dhe asnjëherë nuk u bë gjë për këtë çështje.
Qëndrimi i aleatëve
Ndërkohë, edhe pak kohë më parë drejtuesi i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka konfirmoi futjen e tij në Parlament. Ai uroi edhe kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit, duke pranuar kështu zgjedhjet. Ai theksoi se opozita duhet që të marrë përgjegjësi për humbjen dhe se duhet që të punojë për një opozitë më të fortë në vazhdim.
Edhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, shprehu dje pakënaqësi në lidhje me marrëdhënien që lideri demokrat Lulzim Basha ka me aleatët e tij. Ndoka tha, se për momentin Basha nuk ka kontakte me aleatët. Ai theksoi se Basha nuk diti të ndërtonte një marrëveshje publike me aleatët.
“Janë shumë arsye se pse opozita pati rezultat, zoti Basha e ndërtoi fushatën më vete, pra pati njëlloj protagonizmi nga Basha për t’u ballafaquar në mënyrë direkte me zotin Rama. Ai ndoshta e futi në vorbull, dhe zoti Basha nuk diti që të ndërtonte një marrëveshje publike me aleatët.
Nuk pati kontakte të vazhdueshme gjatë fushatës me aleatët dhe kjo pati kostot dhe pakënaqësitë e veta”, tha ai. Nga ana tjetër edhe vetë Partia Demokratike është e pakënaqur nga bashkëpunimi me aleatët. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi pak ditë më parë, tha se nëse nuk do të ishin futur të vetëm në zgjedhje do të kishin fituar më shumë vota.