Politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka shkruar fjalë zemre për mikun e tij Edi Rama, për organizimin që ai e quan të shkëlqyer të Samitit të Komunitetit Politik Europian, ku 47 liderë të BE janë mbledhur si asnjëherë më parë në Tiranë.
Sipas tij, për Shqipërinë dhe shqiptarët po vijnë ditë të mira sepse Edi Rama ka mundur të sjellë në kryeqytet liderët e të gjitha vendeve të kontinentit të vjetër, të cilët përshkojnë bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe mblidhen nën mburojnë e heroit tonë kombëtar Skënderbeu.
“I lumtur për Shqipërinë dhe shqiptarët teksa shoh liderët e të gjitha vendeve të kontinentit të vjetër, si asnjëherë më parë, duke përshkuar bulevardin e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë dhe tubohen nën mburojën e më të madhit ndër ne, Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
Të lumtë Edi, Shqipëria tashmë është yll europian! Uroj punë të mbarë samitit të Komunitetit Politik Europian dhe përgëzoj Shqipërinë për mikpritjen bujare tradicionale dhe organizimin e shkëlqyer. Ditë të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Ali Ahmeti.
Ali Ahmeti është ndër politikanët shqiptar më të njohur dhe më me ndikim në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor në tërësi. Në vitet 1988/89 ai ka qenë një nga udhëheqësit e protestave të minatorëve dhe studentëve duke sfiduar seriozisht regjimin e Sllobodan Miloseviçit.
Ai njihet gjithashtu edhe për ndikimin dhe rolin aktiv në ngjarjet e Kosovës. Në vitit ’86 Ali Ahmeti ka pasur rol kryesor ndërlidhjen e Kosovës me Evropën.
Është ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vitin 1998 kur filloi lufta zgjidhet si nga të parët anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 2001, gjatë luftës në Maqedoni Ali Ahmeti zgjidhet Komandant Suprem dhe përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).