Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 5 vite burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, por që do konvertohen në shërbim prove. Pas një seance gjyqësore maratonë, e cila nisi në orët e para të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 22.00 të mbrëmjes, Samir Tahiri është “heroi” i parë që “bie” falë presionit ndërkombëtar. Prokuroria kërkoi 12 vite burg ndaj tij, por trupa gjykuese e përbërë nga Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjokaka ka pranuar pjesërisht akuzat.
Tahiri u dënua vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa kanë rënë akuzat për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal. Megjithatë Tahiri do përfitojë benefite, pasi dënimi do zbresë në 3.4 vite burg, duke qenë se ai përfitoi gjykim të shkurtuar. Por ky dënim do të konvertohet në shërbim prove për 3 vite. Pra do ketë punë në shërbim të komunitetit dhe jo burg. Megjithatë, ky është rasti i parë që dënohet një zyrtar i lartë që kur ka nisur reforma në drejtësi. Ajo që duhet theksuar është se dhe ky dënm i Tahirit erdhi falë presionit amerikan. Ambasada e SHBA gjatë 2 viteve ka ndjekur me shumë interes procesin hetimor e gjyqësor ndaj tij, duke dërguar në sallën e gjyqit përfaqësuesit e saj. Dje seanca është ndjekur nga një zonjë që përfaqësonte ambasadën, duke treguar dhe një herë se dënimi i Tahirit erdhi falë presionit të tyre. Provat e prokurorisë ndaj Tahirit ishin shumë të pakta për ta implikuar në trafik droge apo përfshirje në grup të strukturuar kriminal. Dënimi për shpërdorim detyre u dha, pasi gjatë kohës së Tahirit vendi u mbulua nga kanabisi dhe dyshimet janë se ish-ministri ka favorizuar një gjë të tillë. Por nëse nuk do kishte presion amerikan, Tahiri nuk do ishte dënuar fare.
Ndonëse ish-ministri do ja hedhë paq, dënimi i tij duket qartë se bëhet për hir të ndërkombëtarëve. Nga ana tjetër, Tahiri bëhet “heroi” i parë pas kushteve të vëna nga Merkel dhe BE. Dy ditë më parë Gjermania kërkoi arrestim dhe dënime pushtetarësh në mënyrë që të hapen negociatat. Dje u dënua Tahiri dhe ky dënim duket se do jetë një provë e fortë e qeverisë në Bruksel për hapjen e negociatave. Ndërkohë, është dhe një dëshmi se reforma në drejtësi ka filluar të japë efekt. Por sipas burimeve, beteja nuk mbaron këtu. Tahiri ka mbetur i pakënaqur dhe do i drejtohet Apelit, ndërsa të njëjtën gjë do bëjë dhe prokuroria. Aty do merret forma e prerë dhe do vendoset përfundimisht për ish-ministrin. Ndërkohë i akuzuari tjetër, ish-drejtuesi i policisë Jaled Çela u dënua me 3.4 vite burg, jo shërbim prove. Edhe ai u akuza vetëm për shpërdorim detyre.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri foli pak minuta pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda dha vendimin për të. Teksa nuk e kurseu buzëqeshjen dhe ironinë, Tahiri gjatë fjalës së tij tha se nuk qesh dhe as nuk qan dot për vendimin. Mes të tjerash, Tahiri u shpreh se për dy vite ishte hetuar si trafikanti më i madh në Shqipëri. “Më rezervoni të drejtën ta përtyp një herë këtë estradë që ndodhi. Mesa kuptova, gjykata më tha që nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi kriminal, por meqë ca kushërinj të mi kanë përdorur emrin tim, unë kam shpërdoruar detyrën. As qesh dot as qaj dot, por nesër po ju ftoj të ndajmë bashkë ca mendime. Ku di unë, mu duk një gjë e tipit, je i pafajshëm, por s’kemi këllqe të ta themi. Prisni deri nesër, unë nesër do të komunikoj me mediat. Unë dy vjet jam hetuar si trafikanti më i madh i Shqipërisë, çfarë t’ju them, jam hetuar si pjesë e një grupi kriminal që kam bërë trafik droge, sot gjykata më thotë nuk ke bërë trafik droge, nuk ke ndihmuar në trafik droge, por meqë kushërinjtë paskam përdorur emrin tim, unë kam shpërdoruar detyrën. Ça t’ju them. Zoti ju ruajt edhe juve mos ju përdor njeri emrin. Kjo është vetëm maja e betejës sime. Duhet të gjej edhe unë një shteg se si ta lexoj vendimin e gjykatës”, u shpreh Saimir Tahiri. Ish ministri i Brendshëm paralajmëroi se vendimin që morën Krimet e Rënda do ta apeloj në Gjykatën e Apelit.Kliti Topalli