Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi e sheh me dyshim sjelljen politike të ditëve të fundit të presidentit Ilir Meta. Ai shtroi dy mundësi pse kreu i shtetit kundërshton aq fortë Kodin e ri Zgjedhor.
Sipas tij Meta është më i shqetësuar se Basha për zgjedhjet e 25 prillit pasi mund të jetë në dijeni të një pakti Rama-Basha.
“Vë re një axhitim të jashtëzakonshëm të Metës për Kodin e ri. Ose ai dyshon se ka një pakt të fshehtë mes Ramës dhe Bashës, ose ai mendonte se LSI do të dilte vetëm në zgjedhje dhe ky Kod e penalizon. Se ndryshe nuk shpjegohet mërzitja e presidentit”, u shpreh Patozi për Vizion Plus.
Kujtojmë se zhvillimet e javëve të fundit duket se janë në favor të PD dhe PS, ndërsa LSI dhe shumë parti të tjera rrezikojnë të mbeten jashtë Parlamentit nëse dalin vetëm në zgjedhje.