Mbledhja e Kryesisë së PD ka nisur, dhe kreu i saj Lulzim Basha ka thënë se në PD ka vend për të gjithë, “por ne s’mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve “.
Në një kohë që Bashës i kërkohet dorëheqja , ai tha “se nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë.”
Basha përsëriti deklaratën e tij të mëhershme se “25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit”.
Pjesë nga deklarata
Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet cuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prillin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë.
Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër vecse i japim nj ë dorë kalçifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas të cilës hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore.
E di që është e vështirë, e di sepse e provojë në lëkurën time përditë, këtë përmbysje djallëzore vlerash, pasi jam shënjestra e parë e kësaj fushate denigruese që mbahet në këmbë nga një makineri propagandistike e madhe. Por unë e mbaj peshën e këtyre sulmeve sepse besoj tek Shqipëria dhe sepse besoj që Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo kurre për nje hajdut tjeter me te madh, apo një ortak me te zote te bandave dhe mafias.
Ndërkohë pak para se të hynte në mbledhje, kandidati për kryetar i PD-së, njëherazi anëtar i Kryesisë së kësaj force politike, Fatbardh Kadilli, tha se Basha duhet të largohet, pasi nuk është më zgjidhja e PD-së por problemi i saj.