Pothuajse çdo ditë kreu i PD Lulzim Basha ngre akuza ndaj qeverisë, se po vjedh paratë e qytetarëve përmes inceneratorëve.
Dhe në çdo akuzë të tij nuk ka munguar një replikë e kryeministrit Rama, kështu përplasjet dhëmb për dhëmb kanë vijuar edhe ditën e djeshme, ku “luftën” e hapi Basha, i cili në një takim me mediat foli për inceneratorët.
Basha akuzoi qeverinë se ka shkelur hapur rregullat e prokurimit. Sipas tij i është dhënë tenderi kompanisë më të shtrenjtë, qeveria ka vjelur paratë nga taksapaguesit, i ka siguruar në llogaritë e veta bankare dhe më pas është marrë me kontratën.
“Po ju tregoj një fakt tronditës për një nga tre kontratat, për atë të kontratës së inceneratorit të Fierit. Mendoni për një moment se po shkoni të blini një televizor, ju do të keni kërkesat tuaja, madhësinë e televizorit, aftësinë e shërbimeve, një kriter shumë i rëndësishëm do të jetë edhe çmimi.
Dhe çmimi në vlerësimin tuaj zë vend të veçantë, se ju mund të doni një televizor të madh por çmimi është tepër i lartë. Kështu funksionon dhe prokurimi publik. Një kriter është çmimi. Por është bërë pazari, janë ndarë aksionet, janë hapur llogaritë bankare, janë transferuar ryshfetet, pastaj janë kujtuar për një kontratë”, deklaroi ai. Me tona ironie ai tha se edhe kaq sa kanë paguar shqiptarët është falë pronarëve të kompanisë fituese, që kanë vjedhur më pak nga sa i dha mundësi shteti.
“Në shekullin e 21 Republika e Shqipërisë ka një dokument që do të hyjë në arkiv si tregues i korrupsionit më të madh që ka përjetuar Ballkani. Shikoni o shqiptarë, kanë harruar çmimin. Nuk është kriter çmimi. Më mbetet vetëm të falënderoj Klodianët apo Mërtirët, që nuk e kanë rritur taksën, faleminderit që na keni vjedhur kaq pak. E paskeni patur dorën e lehtë se për këta mund ta kishim 10 herë më të lartë faturën”, tha Basha.
Replikat e Ramës
Ping pongu në distancë vazhdoi edhe më tej, pasi menjëherë u është përgjigjur kryeministri Edi Rama akuzave të Bashës. Në një postim në rrjetin social Twitter Rama deklaroi se, PD dhe politika është e vjetër e mbledhur në formë malesh me plehra, që do të pastrohen falë modernizimit të qeverisë.
“Po Lulzim ka qenë PD dhe e tërë politika e vjetër e mbledhur në formë malesh me plehra në mes të Tiranës ku falë impianteve moderne do mund të mblidhen njerëzit e të gjitha moshave për parqet e për aktivitete gjithëfarë”, shkruan Rama. Sigurisht nuk ka munguar këtu kundërpërgjigja e Bashës, ku përmes një postimi u shpreh se politika e vjetër ka erën e gropës së Hajdin Sejdisë dhe fytyrën e zërin e Ramës që për 7 vjet, sipas tij, e mbushi vendin me plehra dhe me inceneratorë që djegin vetëm milionat që ke zhvatur nga xhepat e shqiptarëve. Në shumë pak minuta u përgjigj edhe kryeministri, i cili me ironi i tha Bashës se ky i fundit ka mbetur në gropën e Sali Berishës dhe se po tundohet nga gropa e presidentit.
“Ah Lul, të ka mbet ora tek Gropa e Hajdin Saliut, po habitem si s’e kupton që sa më shumë sulmon impiantet moderne të mbetjeve, aq më shumë tregon se nuk ndahesh dot nga malet me plehra të Sali Hajdinit! Ta qaj hallin, je mes gropës së tij dhe grepit të Likes për tiganin e Monës”, shkruan ai.