“Është synimi i përbashkët gjëja më e rëndësishme dhe kjo e bën të fortë marrëdhënien dhe të ardhmen tonë. Këtu në PE, partitë e ndryshme politike, nuk shikojnë dallimet por të përbashkëtat. Ne duhet t’i mbajmë sytë te horizonti 2027-2030”, u shpreh eurodeputeti Macro Tarquinio.
Pavarësisht kësaj deklarate të drejtuesit të delegacionit të Parlamentit Evropian, Strasburgu u kthye sërish në arenë debati për Shqipërinë, ku akuzat politike i dhanë ton ditës së dytë të mbledhjes së 19-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së.
Akuza e parë, erdhi nga hidrauliku eurodeputeti ish antari i organizatës terroriste ‘Mavi’ Fredi Beleri, që nuk e ka harruar betejën 2 vite më parë me drejtësinë shqiptare. Për të, sistemi ligjor në Shqipëri është një skenë kukullash ku fijet i tërheq qeveria.
“Në Shqipëri sistemi i drejtësisë është i kapur nga ata persona që po përpiqen ta reformojnë atë. Qeveria përmes procesit të vettingut, i cili kontrollon gjyqtarët potencialë, e kanë lënë sistemin me të njëjtat gabime apo mangësi si para reformës. Drejtësia është përdhosur në zgjedhjet e fundit. Ne duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të drejta. Thuajse në çdo rajon të Shqipërisë ka një përfaqësues të krimit të organizuar në parlament.” , tha Beleri.
Deklaratat e Fredi Belerit, i vijoi edhe përfaqësuesi i Sali Berishës, Oerd Bylykbashi i cili nga Strasburgu akuzoi drejtësinë se i la dorë të lirë në zgjedhje shumicës socialiste.
“Zgjedhjet janë, në fakt, një shembull i mirë se si nuk funksionon sundimi i ligjit në Shqipëri. Prokuroria e Posaçme apo e Përgjithshme i kanë lejuar dhe i kanë dhënë dorë të lirë kryeministrit për të përdorur të gjitha burimet shtetërore, në bashkëpunim me krimin e organizuar”, u shpreh Bylykbashi.
Deputetja e PD Jorida Tabaku, duke renditur disa problematika, theksoi se vendi ka nevojë për reforma të vërteta dhe të thella që luftojnë krimin dhe korrupsionin, që lidhen me transparencën dhe fuqizimin e institucioneve.
“Gjatë viteve kemi parë edhe krijimin e komisioneve të mëdha, shumë prej tyre ambicioze, që në emër kanë pasur fjalën “reformë”. Por në raportin e fundit të Parlamentit Evropian, në raportin e fundit për grup-kapitullin 1, tha se ky komision i veçantë për reformat nuk ka transparencë. Pra, mungon transparenca në çështjet kryesore, sepse po përpiqen të monopolizojnë sisteme të caktuara, përfshirë edhe drejtësinë.”, u shpreh Tabaku, e cila përmendi edhe ligjin për Prokurimet Publike sipas të cilës nuk është rishikuar ende sipas standarteve evropiane.
Palët nuk miratuan një deklaratë të përbashkët, ndërkohë që mbledhja e 20 ndërparlamentare e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, do të mbahet në tetor në Tiranë