Ndërkohë që “gjaku” i Haklajve në kurrizin e Berishës vijon të rëndojë akoma më shumë tashmë që dhe vrasja e Azem Hajdarit do të rigjykohet, ish kryeministri ka nisur t’i japë zemër vetes.
Vetëm disa ditë më parë “Pamfleti” botoi një ragim të “Shotës” së Haklajve ndaj Berishës dhe djalit të tij ku ju kujton në mënyrë kërcënuese se ringritja e tyre do ndodhë vetëm kur të ngrihen nga varri ata që ata kanë groposur.
“Ka mundësi që është shumë vonë tani të ‘rivirgjërohet’, vetëm në qoftë se ringjallen ata që i ka groposur?”, paralajmëron Zylfie Haklaj, e cila pas vrasjes së njerëzve që mendonte si vrasës të vëllezërve të saj, është në azil politik në Suedi.
Dhe vajza e Haklajve ka dhënë prova se nuk bën shaka kur bëhet fjalë për të marrë hak për vëllezërit të saj të vrarë nga Berisha dhe jeton vetëm që të shkojë në vend drejtësia për ta.
Haklajt kanë kërkuar dhe janë të vendosur për të marrë pjesë me çfarëdolloj mënyre në rigjykimin e vrasjes së Azem Hajdarit, proces i kërkuar nga Izet Haxhia.
Madje më se njëherë e kanë deklaruar se ata kërkojnë që të jenë përballë Sali Berishës, të cilin e akuzojnë në mënyrë direkte si vrasësin e vërtetë të Haklajve dhe të tërë djemve të Tropojës.
Berisha e ka parandjerë këtë paralajmërim dhe vendosmëri të Haklajve për ta ndëshkuar me të gjitha mënyrat për vrasjen e djemve të kësaj famileje dhe fisi, ndaj mundohet t’i japë zemër vetes duke ashpërsuar gjuhën ndaj mazhorancës, e në veçanti eksponentëve të krimit si të lidhur me të.
Njëherësh nuk mungon të kujtojë kohën kur ka qënë president, kryeministër apo më vonë, teksa deklaron se asnjëherë nuk është tërhequr përballë krimit politik dhe atij të lidhur me politikën, por i ka qëndruar përballë.
Një sfidë e hapur kjo ndaj Haklajve, të cilët i rendit tek njerëzit e inkriminuar politikisht dhe në krime ordinere, ndonëse vetë akuzohet si shkaktari dhe urdhëruesi i gati shuarjes së të gjithë fisit.
Jo rastësisht Berisha nuk lë rast pa përmendur të ashtuquaturat atentate që janë bërë ndaj tij në Shkallnuer e deri në Tropojë, duke deklaruar se asnjëherë nuk është tërhequr, megjithëse për 28 vite ka qënë vetëm tre herë në vendlindjen e tij në Tropojë, por dhe përballjet e tjera.
“Në përgjithësi ka dy qëndrime nga rreziku, se frika nga rreziku vjen. Pra ose do përballesh, ose do t’i ikësh. Unë jam përballur. Në Shkallnur më hodhën bombën te këmbët, unë vazhdova fjalimin. Në Lushnje shkrehën karikatorët, unë vazhdova fjalimin.
U nisa për në Tropojë, më dolën Haklajt përpara, unë vazhdova dhe mbajta mitingun.
Në Presidencë, erdhën për të qërruar Presidentin, unë qëndrova aty për tre ditë, me ujë dhe ushqim dhe mbrojta institucionin dhe figurën e Presidentit. Erdhën dhe mbetën te hekurat e rrethimit.
Në 21 Janar më rrethuan nga të katërta anët. Për Edi Ramën kam dhënë një mesazh atëherë: Po preke Kryeministrinë do jenë pesë snajpera dhe unë në dritare. Ai shndërrohet në zjarrvënës, unë jam patriot. I thashë “dhe jo Kryeministrinë, por një postë policie po preke, nuk kthehesh i gjallë në Tiranë”. Dhe funksionoi. Ai në 27 janar u zhduk si “ajo e pulës” që i thonë.
Pse kjo përballje e imja. Pjesa parësore mund të vijë edhe nga fëmijëria ime. Mund të them që është edhe kanunore. Porosia që na jepnin të parët ishte “mos i ik rrezikut, rreziku të nxen”, ka deklaruar kohë më parë dhe që pëlqen ta përmendë herë pas here në postimet në rrjetet sociale por dhe në ambiente të ngushta. Duke përmendur vend e pa vend Kanunin.
Janë mesazhe që u dërgon Haklajve dhe të afërmeve të tjerë të viktimave të tij që nga ardhja në politikë, për të treguar se nuk trembet. Në të vërtetë sa herë afrohet korriku dhe gushti, Berisha mbyllet në shtëpi, djalin e nxjerr jashtë vendit nga frika, pasi vjen të pushojë nipi i Haklajve./Pamfleti