Sali Berisha duket se ka nisur lëvizjet për të përçarë PD. Shumë prej kritikave të Bashës dhe mbështetës të tij kanë dalë me një strukturë më vete brenda PD.
Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli dje bëri të ditur propozimin për krijimin e Iniciativës Demokratike me logon iDE për një PD më të pastër, të hapur dhe të bashkuar.
Pjesë e saj janë bërë edhe Ivi Kaso, Arben Ristani dhe Enno Bozdo. Sipas Kadillit, PD ndodhet në një krizë të rëndë prandaj duhet që të ringrihet duke këmbëngulur për një parti më të madhe se vetja. “Partia Demokratike ndodhet në një krizë të rëndë. Jemi përsëri në opozitë. Jemi të përçarë dhe kemi lidershipin të kompromentuar përballë anëtarësisë. Gara për zgjedhjen e Kryetarit të ri ishte një mundësi e humbur dhe e keqpërdorur.
Në Manifestin Politik për Ringritjen e PD kam këmbëngulur për një PD më të madhe se vetvetja. Motoja ime ishte dhe mbetet për një PD të pastër, të hapur, të bashkuar dhe fituese. Iniciativa Demokratike, me një logo domethënëse – iDE, është propozimi ynë i ri për demokratët dhe opozitarët”, deklaroi ai.
Krijimi i një opozite të re
Kadilli deklaroi se debatet mes ish-drejtuesit Sali Berisha dhe drejtuesit aktual, Lulzim Basha
po shpenzojnë energji dhe e kanë shpërdoruar misionin se përse u krijua PD. “Në këtë kohë të turbullt ne kemi propozimin tonë për demokratët: Grindja e brendshme, kriza e rëndë politike, përplasja mes dy kryetarëve po shpenzon energji, po bjerr moralin tonë politik dhe ka nxjerrë jashtë misionit të saj opozitar PD. Ne besojmë se asnjëra palë nuk jep zgjidhje të qëndrueshme. Nuk janë zgjidhja as për PD dhe as për të ndërtuar opozitë të pastër.
Një alternativë konkurruese. Pikërisht tek krijimi i alternativës qëndron propozimi ynë. Ne kemi marrë përgjegjësitë tona. Do të bëjmë opozitë të re. Përballë pushtetit abuziv të Ramës, ne do të vijmë si një opozitë e pastër, opozitë konkurruese, opozitë që ngjall shpresë”, tha ai. Kadilli sa i përket kësaj nisme premtoi risi dhe shtrirje në të gjithë territorin teksa tha se kushdo që vjen me një mendim të ri politik në iDE apo aksione politike, do të ballafaqohen të gjitha.
Berisha në Durrës
Megjithatë ka dyshime se ky grup mund të jetë krijuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, pasi emra si Ristani dhe Çollaku kanë dalë hapur në mbështetje të tij. Kujtojmë se ish-kryeministri do të jetë ditën e sotme në qytetin e Durrësit me Foltoren e radhës. “Ditën e mërkurë më datën 29 shtator në ora 18:00 në sallën e Pallatit të Kulturës Aleksandër Moisiu në Durrës do mbahet “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”. Ftoj demokratet dhe demokratët e Durrësit të marrin pjesë. Vetëm të bashkuar fitojmë”, ka thënë Berisha.