Për herë të parë Sali Berisha në një konferencë për mediat foli për kontratën e lobimit 6 mln dollarë, që pasi ajo u publikua në media. Berisha mori në mbrojtje kontratën e lobimit duke thënë se gjithçka është transparente, ndërsa pretendoi se kontrata me shifrën e kamur nuk ka të bëjë fare me fushatën zgjedhore. Por, në fakt e vërteta është se Flamur Noka e ka firmosur kontratën si Shqipëria Madhështore që është një subjekt elektoral.
Por, nga ana tjetër Berisha pranoi se këshilltari amerikan Chris LaCivita është vetëm për zgjedhjet, duke pranuar kështu që me të paska një kontratë tjetër, por PD refuzon sërish të japë detaje për koston së saj.
“Nuk ka të bëjë me zgjedhjet, fare! Ka një nen, 21 i ligjit të Pative Politike, nen që autorizon partitë që të marrin ndihma, mbështetje financiare, nga forcat e tjera politike, organizata ndërkombëtare politike dhe fondacione. Pra kontrata është 100% e bazuar në ligj. Ndaj s’mund të flasësh as për 6 milionë as për 200 apo 600 mijë. Sipas Berishës, PPE-të denoncuan dhe dënuan përdorimin e pushtetit të qeverisë së Ramës në procesin zgjedhor, kapjen e institucioneve dhe të drejtësisë. Kontrata varet sipas kërkesave të palëve, objektivave të palëev, ndaj një gjë është e sigurt, populli opozitar nuk është jetim, kauzat do mbrohen nga një avokat që do mbrojë kauzën opozitare”, tha ai.
Para gazetarëve, Berisha pretendoi se PD nuk është partner kontraktual i kontratës së lobimit, pasi sipas tij PD ka pranuar vetëm shërbimin. Por në fakt e vërteta është se në kontratë Partia Demokratike përcaktohet qartë si Klient, ndërsa garantuesi është Nuredin Seci.
Sali Berisha thotë se PD nuk ka dhënë asnjë qindarkë për kontratën, por është komuniteti shqiptaro amerikan që po e paguan. Sa i takon fondacionit ‘Maga’ në SHBA, Berisha tha se u themelua nga nga patriotë, por në fakt Report Tv ka zbuluar se fondacioni ka në përbërje vetëm familjen e Nuredin Secit.
“PD nuk është palë kontraktuese, ne vetëm kemi pranuar shërbimin, janë fondacioni kontraktues. PD nuk ka dhënë asnjë qindarke, edhe sikur ti kishim dhënë për kauzën qe është kontrata janë vlen 100 here. Edi Rama vjedh 130 mln euro me djegësin, dhe vazhdon të thuhet që është udhëheqës i shquar. Cdo gjë është e vlefshme për të demaskuar narkodiktatorin”, tha Berisha.
Berisha tha se nuk mund të flitet për 6 mln dollarë, duke thënë se kontrata ka një nen sipas të cilit palët mund ta ndërpresin kontratën. Por, në fakt tashmë PD i ka paguar 750 mijë dollarë kompanisë amerikane Continetal Strategy.
“Kontrata ka një nen, sipas të cilit palët në çdo rrethanë që ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre ndërpresin kontratën. As mund të flasësh për 6 mln, as për 100 apo 200 mijë. Kontrata është sipas kërkesave të palëve”, tha Sali Berisha.
Kontrata e lobimit në Shtetet e Bashkuara, e firmosur nga Partia Demokratike, shkaktoi jo pak zhurmë. Arsyet ishin të shumta, që nga vlera disa milionë dollarëshe, deri te burimi i tyre, i paqartë deri tani. Partia Demokratike vijon t’i përmbahet deklaratës fillestare, duke shmangur të hedhë dritë mbi mjaft aspekte të errëta. Partia Demokratike “ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, dhe nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marrëveshje”.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) menjëherë nisi verifikimet, vetëm një ditë pas publikimit të kontratës në media, dhe hetimet pritet të sqarojnë gjithçka që lidhet me përgjegjësinë penale të kujtdo të përfshirë, duke filluar nga firmosësi Flamur Noka, ‘garantori’ Nuredin Seci dhe deri te përfituesi Sali Berisha.