Sali Berisha, i ftuar në Euronews Albania, foli dhe për drejtuesin e fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita.
I pyetur nëse ky i fundit do të marrë pjesë në mbylljen e fushatës së Partisë Demokratike, Berisha e konfirmon se ai do të jetë pjesë.
“Ai do vijë në mbyllje, dhe do sjellë fitoren. Ai ka besim të madh rikthimin e Sali Berishës. Pse e zgjodhi Berishën ai mes qindra të tjerëve? LaCivita do vijë për të festuar rikthimin e Sali Berishës”, tha ai.
Më tej, kreu i PD-së ka folur mbi ‘non gratën’ e tij, ndaj së cilës përmend shpalljen ‘non grata’ të Antony Blinken.
“Gjë më të madhe se shpalljen ‘non grata’ të Antony Blinken, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, nuk mund të prisnim.
Ai sot nuk hyn dot në asnjë ndërtesë federative të vendit të tij. Ai përfundoi njeriu më i padenjë në historinë shtetërore të SHBA-ve. A nuk është kjo një ngushëllim për Sali Berishën?
Edhe Rama nga ana tjetër kudo që shkon, shkon me strajcën e McGonigalit. Ai nuk i mbyll dot çështjet me të.
Shqiptarët e dinë se ky është i vetmi kryeministër i faktuar nga Gjykata amerikane se ka dhënë 225 mijë euro shefit të kundërzbulimit të FBI-së për të luftuar opozitën. Ka korruptuar dhe është korruptor”, përfundon Berisha.