Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe një nga kritiket më të mëdha të kreu të Partisë Lulzim Basha, shpalli të mërkurën në mbrëmje themelimin e partisë së re politike “Lëvizja për Ndryshim”.
Në një sallë të tejmbushur me fytyra të pandeshura publikisht, Jozefina Topalli nuk ishte në rreshtin e parë, siç dikur e kishte zakon, por e ulur diku nga mesi i sallës, ajo nuk i shpëtoi protagonizmit me fjalën e saj, ku premtoi se përmes kësaj lëvizje do të tronditë treshen Meta-Rama-Basha.
Megjithatë ky i fundit dhe zyrtarë të PD e kanë sulmuar lëvizjen e Topallit, duke e etiketuar ata si një parti të krijuar nga kryeministri Edi Rama për të çarë opozitën e bashkuar. Mirëpo në lidhje me këto zhvillime dje reagoi edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, zoti Klosi teksa përshëndet lëvizjen e re të zonjës Topalli, theksoi se vendi ka nevojë për parti të reja që të jenë të pavarura nga dy të mëdhajat, referuar këtu PD-së dhe PS-së.
“Në dijeninë tim që në fillim fare ose për të qenë më i saktë një vit pasi u krijua Partia Demokratike u krijuan apo ndanë parti të reja. Dhe gjithë kohën janë ndarë fraksionet në PD. Por kanë bërë si kanë bërë, janë krijuar parti, ato nuk kanë rezistuar në habitatin politik dhe janë kthyer prapë në vathën e tyre, pra partinë mëmë.
Kështu që nga kjo pikëpamje dua të shtoj se unë e pashë Jozefinën teksa prezantoi partinë e re dhe ju bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen “Lëvizjes për Ndryshim”, ku ranë në sy fakti se kishte zgjedhur shumë fjalë të bukur për të folur, por partia nuk bëhet vetëm me fjalë.
Megjithatë, nuk e di dhe uroj që ajo t’ia dalë, duke qenë se Shqipëria ka nevojë për partitë të pavarura nga dy të mëdhajat. Mirëpo gjasat që kjo parti të ecë përpara dhe të tronditë partitë e mëdha më duket e vështirë”, deklaroi ai.
Berishën e vret ndërgjegjja për largimin e Topallit
Por sa i takon faktit që ish-kryeministri Sali Berisha në disa intervista të zhvilluara ditët e fundit është shprehur se Basha duhet të rikthejë zonjën Topalli dhe madje ta kandidojë se ashtu e dikton edhe statuti i partisë, zoti Klosi theksoi se ish-shefi i demokratëve po bën lojë të dyfishtë.
Sipas tij, Berishën e bren ndërgjegjja që Topalli është përjashtuar nga PD dhe se këtë vendim Basha nuk e ka marrë pa vënë në dijeni ish-kryeministrin. “Sali Berisha është një politikan dhe burrë gënjeshtar, madje i pëlqen që të bëjë diversione. Kjo pasi referuar edhe deklaratave të tij që ka thënë që Basha duhet ta ftonte Jozefinën janë deklarata që ai kërkon të lajë duart.
Saliu ka punuar shumë vite me Jozefina Topallin dhe ka përgjegjësi për përjashtimin e saj nga Partia Demokratike. Ai e ndjen përgjegjësinë sigurisht, pasi Jozefinën e ka pasur bashkëpunëtore. PD sot drejtohet nga një djalë si Basha që ia la partinë Berisha dhe që ishte pikërisht ai që i përzuri “Gardën e Vjetër”. Kështu që nga kjo pikëpamje dua të theksoj se asnjeri nuk e beson që Berisha nuk ka ditur apo ka pasur gisht në përjashtimin e Jozefinës dhe të tjerëve që Basha iu bëri nga PD”, u shpreh ai. Më tej, zoti Klosi akuzoi Berishën se po luan lojë të dyfishtë.
“Berisha është fajtor dhe po mundohet që të thotë se jam jashtë kësaj loje, duke tentuar që të ftojë në PD besnikët e tij. Por mos harroni që Berisha ka raporte të forta edhe me Jozefinën. Kështu që më duket lojë e dyfishtë që po bën Saliu dhe i kërkoj të mos bëjë diversione se qytetarët e njohin që është super gënjeshtar”, tha ai.
Deklaratat e Rulit
Duke komentuar deklaratat e bëra nga ish-ministri Genc Ruli se ka ardhur koha që Sali Berisha të pensionohet politikisht, zoti Klosi theksoi se këto janë mesazhe të Bashës se ish-kryeministri duhet të largohet.
“Sa i takon deklaratave të ish-ministrit Genc Ruli se Sali Berisha duhet të largohet vetë nga Partia Demokratike dhe jo të presë që ta heqin nga lista, e përshëndes dhe ka ardhur koha që Saliu duhet të pensionohet.
Genci ka thënë një të vërtetë dhe nuk mund ta ndaj që a ka faktor politik, por brenda ka mesazhe të koduara që ai flet nën gjuhën e Lulit”, nënvizoi Klosi.