Problemet me gradat madhore kanë sjellë vështirësi në reformimin e policisë. Drejtori i ri Gledis Nano bëri një sërë ndryshimesh javët e fundit, por më shumë ishin rokadë sesa ndryshime. Në pjesën dërmuese të njëjtët drejtorë dhe shefa komisariatesh u dërguan në qytete të tjera.
Pra thjesht ndryshuan zonat dhe aspak postet. Prej shumë vitesh janë po të njëjtët individë që mbajnë poste drejtuese. Gazeta vendosi të interesohet se përse ndodh kjo gjë dhe nuk emërohen personazhe të rinj?
Sipas një zyrtari në radhët e policisë, kjo vjen për shkak se krerët aktualë janë të vetmit që zotërojnë gradat e nevojshme për këto poste. Persona të tjerë në radhët e policisë nuk kanë këto grada dhe nuk mund të bëhen dot drejtorë. Por pse policët më të rinj nuk janë pajisur me gradat e nevojshme?
Gazeta u konsultua me specialistë për këtë çështje. Kriteri bazë për gradat madhore është përvoja e punës. Mësohet se në polici ka disa persona që e kanë përvojën e duhur, por aplikimi për grada bëhet me konkurs. Mirëpo problemi qëndron se konkurset nuk hapen. Sipas ligjit një gjë të tillë e ka në dorë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe konkursi hapet në bazë të nevojave.
“Fitimi i gradës “Nënkomisar” deri në “Drejtues i parë” bëhet nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues nga një komision gradimi. Çdo vit evidentohen nevojat për çdo gradë për vitin pasardhës. Drejtori i Policisë së
Shtetit, në varësi të nevojave dhe prioriteteve, miraton urdhrin për fillimin e fazës së aplikimeve për fitimin e gradës respektive. Fitimi i gradës bëhet vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë dhe vetëm për gradën pasardhëse”, thuhet në ligj.
Reagon Sadedin Fishta
Gazeta iu drejtua edhe kreut të Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, i cili ka sqaruar me detaje se përse është kjo situatë në radhët e policisë. Ai ka evidentuar disa probleme dhe si shkohet te zgjidhja e tyre. Sipas tij, mënyra më e mirë do të ishte ndryshimi i ligjit për daljen në pension të efektivëve. Kjo do sillte rinovime drejtuesish.
“Mosha mesatare në Policinë e Shtetit është mbi 48 vjeç . Ligji për përfitimin e pensionit të shërbimit për punonjësit e policisë duhet të kishte dalë që në 2014 me hyrjen në fuqi të ligjit të policisë. Ky ligj do bënte që të dilnin në pension shërbimi edhe drejtues me moshë mbi 60 vjeç me gradat e larta. Do të liroheshin vende pune me grada të larta dhe do hapej rruga për konkurs për konkurrim për moshat më të reja.
Po konsumohen pa u provuar sa të aftë janë në drejtim në polici moshat më të reja duke kaluar më shumë vite se sa parashikon ligji, në qëndrim në një gradë pa ju dhënë mundësia për të konkurruar për grada më të larta. Po ju ikën dhe mosha duke pritur. Specialistë të mirë të policisë të sektorëve të ndryshëm policorë, të rinj pa pasur mundësi të provohen për të konkurruar për grada e funksione të larta”, tha Fishta.
Sipas tij, konkurset janë bllokuar për shkak dhe të mungesës së vendeve të lira të bllokuara nga drejtues me moshë afër pensionit.