Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta është në fokusin e Bashkimit Europian për të marrë edhe vendimin për hapjen e negociatave.
Për këtë, një delegacion i përbërë nga prokurorët e SPAK dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë me në krye negociatorin Zef Mazi ndodhen në Berlin. Dje dhe sot delegacioni do të zhvillojë një sërë takimesh dhe do të marrin udhëzime konkrete se si të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ministria e Jashtme përmes një njoftimi ka dhënë detaje nga kjo vizitë, ku bën me dije se Mazi dhe delegacioni gjatë kësaj vizite zhvilluan disa takime në Kancelarinë Federale dhe Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme. “Kryenegociatori Mazi dhe delegacioni shoqërues, i përbërë nga zëvendësministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni, zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamellari dhe Shefi i SPAK, Arben Kraja, mbajti një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështjet Europiane në Bundestag.
Seanca u drejtua nga Nënkryetari i Komisionit, Deputeti Markus Töns dhe morën pjesë nga grupet parlamentare të SPD, FDP, Di Linke, Die Grune”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Kryenegociatori Mazi gjithashtu u takua me Raportuesin e CSU për Shqipërinë në Komisionin për Çështjet Europiane, Katrin Staffler dhe disa zyrtarë të tjerë të cilëve u ka dhënë informacion të gjerë mbi progresin që ka bërë vendi ynë drejt integrimit në BE.
Theksi është vënë te reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit. Zhvillimet pozitive në përmbushjen e përparësive para Konferencës së Parë Ndërqeveritare u mirëpritën nga zyrtarët, bën me dije MPEJ. “Bashkëbiseduesve iu dha një informacion i gjerë dhe i azhurnuar mbi progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e përparësive të Këshillit para Konferencës së parë Ndërqeveritare, veçanërisht mbi reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Siç konfirmoi raporti i Komisionit Europian 2020 për Shqipërinë, Shqipëria është shumë afër përmbushjes së përparësive para IÇ-së së parë. Bashkëbiseduesit gjermanë njohën dhe mirëpritën zhvillimet shumë pozitive në përmbushjen e përparësive para ICC-së së parë nga Shqipëria dhe konfirmuan mbështetjen gjermane, përfshirë Presidencën Gjermane të Këshillit të BE-së, për të bërë të mundur mbajtjen e ICC-së së parë me Shqipërinë nga 2020, nëse Shqipëria vazhdon të ofrojë për të përmbushur përparësitë e mbetura”, thekson ministria.