Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, foli për seancën e parë në gjyqin e Sali Berishës, e cila u shty për aryse se Berisha pretendoi se nuk është njoftuar sipas ligjit.
Haxhiu tha se Berishës i intereson shtyrja deri në shtator, për të bërë spektaklin e tij, duke qenë se gjatë muajve të verës, nuk ka vëmendje nga publiku. Analisti shtoi se Berisha gjithashtu kërkon vonesa proceduriale, për të ndërtuar rrëfimin e një procesi politik për në Strasburg.
“Berisha ka hyrë në një betejë politike. Korriku dhe gushti janë dy muaj që njerëzit nuk kanë vëmendje ndaj këtyre gjërave. Berisha do të provojë që korrikun ta mbyllë pa asnjë seancë sepse spektakli i duhet për në shtator.
Ai pretendon të bëjë dy beteja, betejën brenda gjyqit për spektakël dhe betejën e dytë, të shtyjë Ramën të shkarkojë Veliajn. Të tjera gjëra proceduriale, Berisha lufton për çështje proceduriale, për të ndërtuar betejë politike. Po kështu Berisha kërkon të ndërtojë rrëfimin e një procesi politik, që nëse e humb këtu të shkojë në Strasburg, këto janë arsyet pse ka sjellje të tillë, do të vonojë gjithmonë përmes procedurave. Do të thotë nuk kam marrë ftesë, etj, do të kemi të njëjtën gjë në seancën tjetër”, tha Haxhiu.