Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një efektiv policie është vrarë aksidentalisht nga djali i tij i mitur.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Saukut, në rrugën “Shyqyri Brari”, pranë Kopshtit Zoologjik, ku djali 7 vjeçar ka qëlluar babanë e tij, me armën e shërbimit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Mësohet se viktima, Roland Bicerri kishte lënë armën e shërbimit teksa po luante bilardo me miqtë e tij, ndërsa fëmija e mori dhe ka qëlluar drejt të atit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 20.12.2020, rreth orës 13:25, në rrugën “Shyqyri Brari”, pranë Kopështit Zoologjik, dyshohet se aksidentalisht nga djali i tij i mitur është plagosur punonjesi i policisë i FNSh-së, shtetasi R. B, i cili si pasojë e plagës së marrë ka ndërruar jetë.
Grupi Hetimor dhe sherbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Veprimet hetimore po kryhen nën drejtimin e Prokurorit, nga SHÇBA dhe strukturat hetimore të DVP Tiranë.
Në një rrëfim për ngjarjen Besar Bajraktari, një prej punonjësve të ambjentit ku ndodhi ngjarja e rëndë është shprehur se, krisma e armës u dëgjua befasisht ndërsa punonjësit e bar-bilardos humbën ndjenjat kur pane se çfarë kishte ndodhur.
“Po bënim muhabet në banak vetëm kur dëgjojmë krismën. Ishim larg me tavolinën e viktimës. Në banak ishim 2 persona, ndërsa në tavolinë (e viktimës) 3 a 4 persona. Nuk dime asgjë çfarë u bë pastaj se na ra të fikët”
Bicerri ka mbetur fillimisht i plagosur por më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagës.
Sipas Policisë, grupi Hetimor vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.