Gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting duket se po tentojnë mënyra për të ligjëruar paratë korruptive. Edhe pse KPK ka zbuluar se me qindra vetë janë të zhytur në afera dhe nuk e justifikojnë pasurinë, deri më sot të gjithë po e gëzojnë dhe madje ata që kanë ngelur në shkallën e parë vijojnë të paguhen.
Por teksa BE e ka vënë kusht hetimin e të korruptuarve, drejtësia ka nisur hetimet vetëm për 28 emra, ndërsa mbi 100 të tjerë livadhisin. Madje edhe pse kanë rezultuar të korruptuar shumë emra kanë hapur zyra avokatie me pasuritë e vëna në mënyrë korruptive.
Gazeta do nxjerrë detaje në ditët në vijim, por është një listë e gjatë emrash që janë shkarkuar në të dyja shkallët e vetingut dhe që janë shndërruar në avokatë brenda paka ditësh duke u kthyer në sistemin e drejtësisë, edhe pse tashmë ka dy vendime që vërtetojnë zhytjen e tyre në korrupsion.
Reagon kreu i Avokatëve Penalistë
Për këtë çështje gazeta foli me kreun e Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, i cili e cilëson tepër alarmante situatën. Sipas tij, ata duhet të mbetën jashtë sistemit dhe nuk është normale të jenë avokatë. Madje ai ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme që të nisë hetimet.
Vishaj deklaroi se të ngelurit në veting kanë dhënë shumë vendime të padrejta, të cilat tani sipas tij po i vuajnë shumë njerëz dhe për këtë avokati kërkoi edhe ndëshkim të tyre. Avokati deklaroi më tej se këto vendime të padrejta kanë sjellë edhe grevën e urisë në burgun e Peqinit. Pra sipas Vishajt, vendimi për shkarkimin e tyre ka qenë i drejtë dhe organet e reja duhet të vihen në lëvizje për t’i hetuar dhe për të mos u besuar sipas tij lotëve të krokodilit të tyre që kërkojnë pafajësi.
“Ata që janë përjashtuar nga vetingu kanë dhënë shumë vendime të padrejta dhe tashmë ata po vuajnë nga këto vendime. Këta gjyqtarë dhe prokurorë që janë shkarkuar nga vetingu duhet të përballen me drejtësinë për të gjitha vendimet e padrejta që kanë dhënë dhe që dalin dhe qajnë tani me lot krokodili që pse janë shkarkuar. Ata tani po hapin edhe qendra avokatie, por për këtë vendim të këtyre i takon SPAK që të reagojë dhe të arrijë në një përfundim.
Ata kanë dhënë shumë vendime të padrejta që tani po i vuajnë të dënuarit, të cilët kanë dalë në grevë urie dhe unë do jem si përfaqësues i tyre për t’i dëgjuar të gjitha shqetësimet që ata kanë”, u shpreh avokati Saimir Vishaj në reagimin e tij për gazetën “SOT”.
Pastrimi i parave
Por avokati e ngriti dhe pak ditë më parë alarmin, pasi u shpreh në media se ata që kanë ngelur në procesin e vetingut po pastrojnë paratë korruptive. “Ata 150-167 vetë që kanë ikur dhe kanë hapur ca studio avokatie që po pastrojnë lekun sot.
Dolën në veting, u larguan si subjekte të rivlerësimit dhe sot po pastrojnë lekët. Edhe kjo nuk është lloj reforme, sepse reforma do të thotë se për 15 vjet të jenë bashkuar të gjithë bashkë, asnjë nga produktet që ishin subjekte të vlerësimit të mos jenë më në prag të sistemit të drejtësisë. Por jo të largohen prokurorë dhe gjyqtarë edhe sot i kemi përsëri avokatë”, tha ai.
Bundestagu gjerman ka hartuar plot 15 kushte për vendin tonë, të cilat duhet të plotësohen nga autoritetet shqiptare, pas çeljes së negociatave, gjatë rrugës për integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Një nga kushtet parashikon fillimin e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme.
Plotësimi i këtij kushti kaq të rëndësishëm pritet të jetë një sfidë për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, e cili është ngritur dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, që pritet të ngrihet së shpejti.