Analisti Lorenc Vangjeli komentoi në emisionin “Top Story” gjyqin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe seancën e parë, e cila u shty pasi kreu i selisë blu u shpreh se nuk ishte njoftuar. Sipas analistit Sali Berisha në fund të procesit do të shpallet fajtor dhe për këtë arsye po e zvarrit çështjen sa më shumë.
“Kanë zgjedhur të pranojnë më mirë një tmerr pa fund se sa fundin e tmerrshëm. Sado që tingëllon paradoks, të dyja palët në këtë proces, qoftë pjesa e akuzës publike, qoftë pjesa e zotit Berisha, apo arbitri mbi ta, gjykata… secili mezi pret që kjo çështje të shtyhet, sepse secila i trembet asaj që do ndodhë. Berisha i trembet atij që mund të jetë vendim i pritshëm, ka pak gjasa që të fitojë pafajësinë.
Çështja e Berishës është beteja kryesore e SPAK. Sepse nëse Berisha do të fitonte pafajësinë, ngrihen një sërë pikëpyetjesh mbi rolin e SPAK, mbi mënyrën se si ka vepruar.
Dosja edhe me probleme të ndryshme proceduriale që janë vënë re gjatë gjithë kësaj periudhe, janë të gjitha shkaqe që edhe në instancën e fundit, në Strasburg do ishin një kartë në favor të Berishës. Ndaj, edhe SPAK e ka me qejf që të jetë i pafundëm tmerri, të zgjasë në kohë.
Me stilin e zakonshëm që kemi parë në procedura të rëndomta, kjo punë do të zgjatet, 4 – 5 vite më duket minimale, do të zgjatet shumë herë më tepër. Për gjëra të rëndësishme, sistemi nuk funksionin, nuk ka sistem freni dhe gazi. Berisha nuk mund të gënjejë të thotë nuk e dija” -u shpreh Vangjeli.
Fletëthirrja e GJKKO është dorëzuar ditën e premte dhe është pranuar nga Malltezi, por ky i fundit dhe pala mbrojtëse e Berishës argumentuan se nuk ishin njoftuar në kohë. Në kushte të tilla, prokurori Kraja kërkoi shtyrjen e seancës e cila do të mbahet më 21 Korrik