Dy qendra votimi në Bashkinë Vorë kanë nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve edhe pse nuk kishin marrë ende konfirmim nga Komisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Në Vorë dhe në njësinë 10 në Tiranë numërimi bëhet në mënyrë elektronike, por sipas Celibashit, partitë politike kanë kërkuar që ai të publikohet pasi të ketë filluar procesi i tabulimit të rezultatit për KZAZ-të ku është votuar në mënyrë manuale.
“Këtë rezultat ne do ta kemi në mëngjes ditën e nesërme, në orën 8 ose 9”, tha Celibashi.
Nga rezultati i printuar në këto dy qendra, në fshatin Domje, shihet një dominim i Partisë Socialiste, me 222 vota, ndërsa Partia Demokratike dhe koalicioni i saj kanë marrë vetëm 73 vota.
Pas publikimit të rezultatit, në Vorë nisi edhe festa me fishekzjarrë nga simpatizantë të Partisë Socialiste.
Blerim Shera, kryetari i Bashkisë së Vorës, gjithashtu socialist, tha se Vora ka zgjedhur Edi Ramën. “Ne kemi kohë që punojmë për këtë rezultat, nuk është rastësor”, tha ai për gazetarët.