uristi Romeo Kara dhe gazetari Frrok Çupi kanë shpërthyer dje në akuza të forta ndaj presidentit Ilir Meta. Sipas tyre, Meta është nxitësi i trazirave të përgjakura në vend, duke e akuzuar atë edhe për rastin e djeshëm në qytetin e Elbasanit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe të plagosur disa policë.
Gjatë një interviste televizive, Çupi tha se nuk ka vend për aludime, ajo që ndodhi në Elbasan është një vrasje e pastër politike, e nxitur nga thirrjet e vazhdueshme të Metës për dhunë dhe prerje duarsh në fushatë zgjedhore. Sipas analistit, Meta në bashkëpunim me Berishën po kërkojnë gjakderdhje sepse ashtu janë mësuar në çdo vit zgjedhjesh, prandaj gjëja më e mirë është që ata të dy të arrestohen sa më shpejt.
“Vrasje e pastër politike. Tentativa e madhe, rreziku është të shkojnë në gjakderdhje është thirrje për luftë, për gjakosje, duhet patjetër që Meta të vihet në pranga në kushtet e flagrancës sapo ka bërë thirrje për sfurqe, hunjtë e shpata, prerje duarsh që Rama të gjente vend dhe të futej. Thirrja u bë gjak dhe tani urgjentisht Metës duhet t’i vihen prangat me qëllim që të qetësohet situata dhe shqiptarët të shkojnë në paqe në zgjedhje. Ne kemi pikën zero, por ato janë te Meta dhe mbështetësit që shkaktojnë luftë dhe gjakderdhje.
Jemi në momentin kur thonë se këto zgjedhje janë të rëndësishme për të fituar normalitetin jo thjesht një parti. Që nga ‘92 zgjedhjet janë bërë me luftë e vrasje. Nuk kemi asnjë zgjedhje nga Meta dhe Berisha që s’kanë kaluar pa gjak”, u shpreh Çupi. Gjatë intervistës analisti u është drejtuar organeve të drejtësisë të reagojnë sa më shpejt dhe t’i vënë prangat Ilir Metës dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Reagon Romeo Kara
Edhe juristi Romeo Kara e ka quajtur të patolerueshme ngjarjen në Elbasan dhe akuzon për këtë presidentin. Përmes një postimi në Facebook ai tha prerë se fajtori i vetëm për këtë situatë të përgjakur është Ilir Meta, i cili në çdo dalje të tij nxit dhunë dhe destabilitet. Sipas juristit, këtë herë drejtësia nuk duhet ta lërë këtë ngjarje të kalojë lehtë, por duhet të vërë prapa hekurave presidentin, që çdo herë bën thirrje për gjak.
Ai shprehet se, vëllavrasjet që ndodhin sa herë kemi zgjedhje do mund të marrin fund vetëm nëse arrestohet Meta. “Kurrë më të mos derdhet gjak shqiptari për votat, pushtetin dhe sundimin e kësaj kaste kriminale politike. Boll gjak, lot e dhimbje shpirti, ka shkaktuar kjo politikë, që së pari mban fytyrën e vet kriminelit Meta, paradoksalisht president, në vend që të ishte sot banor i përjetshëm i institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Zëri i së ardhmes normale që meritojmë duhet dhe do të ngrihet triumfues mbi skërmitjet neveritëse të tij dhe pasuesve të tij. E ardhmja e shqiptarëve të ndershëm, nuk ka asgjë të përbashkët me të ardhmen e sojit Meta. Përkundrazi, shqiptarët e ndershëm, duhet të punojnë që të vijë sa më shpejt dita, për t’u ndarë shapi nga sheqeri. Ky gjakatar, që predikon vëllavrasjen për pushtetin dhe menderen e tij, meriton përbuzjen e shqiptarëve”, shkruan ai.
Thirrje prokurorisë
Në një tjetër reagim Romeo Kara i ka për thirrje ultimatume prokurorisë. Si një njohës i mirë i ligjit dhe Kushtetutës, por edhe si qytetar që do zgjedhje të lira dhe paqësore, juristi i ka kërkuar prokurorisë urdhërojë arrestimin sa më parë për Metën, sepse ka çdo provë të nevojshme. Sipas tij, thirrjet e një presidenti që nxisin dhunë në kohë fushate dhe jo vetëm, ka shkelur hapur Kushtetutën.
“Frymëzuesi publik i çdo dhune elektorale është pikërisht Meta. Deklaratat e tij janë të përsëritura, të hapura, publike dhe pa ekuivok në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe pa asnjë dyshim përbëjnë vepër penale. Prokuroria duhet të urdhërojë arrestimin e tij. I gjithë autoriteti i ligjit dhe i rendit kushtetues është shkelur prej tij”, ka shkruar juristi. Të njëjtën thirrje të drejtpërdrejtë ka bërë për prokurorinë edhe Frrok Çupi.