Zyrtarët e lartë dhe politikanët e korruptuar duket se i presin ditët të vështira. Javët e fundit kanë nisur një fushatë arrestimesh, ku me urdhër të Prokurorisë Speciale shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë kanë përfunduar para drejtësisë.
Por në lidhje me këto zhville të forta, dje ka reaguar edhe analisti i njohur, Frrok Çupi. Përmes një analize të publikuar në rrjetet sociale, zoti Çupi zbuloi se kafshët e korruptuara në politikë po gjurmojnë çdo qoshe, që sipas tij, do t’i ndihmojë të dalin prej kontrollit të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara janë përplasur me “kafshët” brenda shtëpisë sonë. Po të mos e kishte goditur Amerika ish-kryeministrin Berisha, sa për ne shtëpiakët e këtushëm, ish-kryeministri do të kishte zhdukur gjithë “fermën”. Sa për ne të shtëpisë, do të na kishte vënë në rresht Ilir Meta në buzë të detit e do të na krekosej:
“Hë, u hodha drejt!?”. “Drejt u hodhe, flori”, do t’i kishte thërritur gjithë mileti. Kafshët e korruptuara po gjurmojnë çdo qoshe si mund të dalin prej kontrollit të Amerikës. Rreziku që këta të na kthehen përsëri, është para nesh, aktual. Këta kanë pasurinë e grumbulluar prej 3 dekadash, kanë armët, kanë luftëtarët, të gjitha të duhurat për të shpëtuar edhe një herë tjetër.
Nëse kësaj here shpëton “kafsha” e plagosur në gjueti, atëherë populli do të hidhet në rrugë te krimi, ndërsa shtëpia do të jetë e atyre dhe “e pastër”; siç ishte deri dje. Sot për sot lufta bëhet mbi kokat tona, mes Shteteve të Bashkuara dhe “kafshëve” të shtëpisë”, shkruan ai.
Meta e Berisha e kanë pisk punën
Por kasta e të korruptuarve nuk është e vetmja që rrezikon të bjerë në rrjetën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi analisti Frrok Çupi ka bërë me dije se më të rrezikuarit janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.
Sipas zotit Çupi, dyshja “Meta dhe Berisha” e kanë pisk punën. “Drejtësia e Re e ka nisur punën me gjuetinë kundër vjedhjes së pasurisë publike: Janë arrestuar kryetarët e dy qeverive lokale. Janë arrestuar nëntë anëtarë të ekipeve të tenderimit në Ministrinë e Brendshme. Një zyrtar i lartë politik është arrestuar me akuzën e “pengimit të zgjedhjeve” të 30 qershorit.
Është shpallur fillimi i gjykimit në SPAK (27 korrik) për tragjedinë e Gërdecit. Është caktuar “non grata” nga qeveria amerikane ish-presidenti dhe ish-kryeministri Berisha “për korrupsion dhe minim të demokracisë”… Këto ishin “kafshët” e para që u gjuajtën në shtëpinë e shtetit; egërsira të tjera po dynden nga strofka. Është hera e parë që një shtet (Shqipëria) po zhvillon hapjen e gjyqit të shtetit në këtë epokë: pas Nurenbergut, pas Gjykatës Speciale të Jugosllavisë dhe pas gjyqit “Maxi Trial” Giovanni i Falcones”, nënvizoi analisti Frrok Çupi./Rigels Seliman