Nga Luan Shtëpani
Shoqëria Civile nënkupton një koncept shumë të gjerë, i cili në thelb shpreh pjesëmarrjen aktive të individit për të zgjeruar dhe konsoliduar liritë dhe të drejtat e njerëzve, kontributin e tij për një shoqëri të hapur dhe të drejtë, që frymëzon solidaritet, humanizëm, tolerancë dhe mirëkuptim, të cilat janë aq të domosdoshme për vendin tonë në këtë fazë tranzicioni të vështirë dhe të zgjatur.
Termi “shoqëri civile“ është pjesë e morisë së “termave të BE-së“, të cilët në fakt përdoren vazhdimisht, por rrallë kuptohen në kompleksitetin e tyre. Madje shpesh ata interpretohen edhe në mënyra të ndryshme dhe kështu që rrallë është e mundur të bëhen konstatime, apo që termat të kuptohen njësoj.
Në një demokraci pluraliste, qytetarët kanë interesa, qëllime dhe dëshira shumë të ndryshme. Madje pjesërisht këto interesa janë diametralisht të kundërta. Në Shqipëri ka shumë OJF, në fusha të ndryshme, duke përfshirë të drejtat e grave, ruajtjen e demokracisë, transparencën dhe meritokracinë në institucione, qendrat kërkimore, organizatat mbi konsumatorin etj.
Por, ato janë sot e kësaj dite një zë i dobët, që konsumon energji për çështje të dorës së tretë apo të katërt. Nuk janë asgjë më shumë sesa disa njerëz që hapin disa zyra, në funksion të fondeve. Të punësuar dy ose tre vetë që ulen para kompjuterit, për të përgatitur projekte. Vlen të theksohet se pas miratimit të tyre bëhen raporte, ku dhe të bardhën e bëjnë shpeshherë të zezë, vetëm e vetëm që të marrin të tjera financa në emër të përmirësimit të gjendjes sociale dhe ekonomike në vend. Sharlatanë që bëjnë pis dhe studiot televizive që dalin dhe flasin si gjithologë, ku në fakt as nuk ja kanë idenë në shumë raste se si funksionojnë struktura të caktuara shtetërore.
Të vetëshpallur kritizerë, pa pikë dhe presje, që ndërhyjnë vend e pa vend dhe të çudisin me argumentat e tyre. Të neveritshëm kur shprehen për shtresat në nevojë, pa bërë asgjë për ta, sepse e vetmja gjë që bëjnë mirë është demagogjia. Shfrytëzues të momentit ku ka problematika serioze në vend, dhe rendës për të kapur ndonjë studio televizive dhe ndonjë faqe gazete që të bien në sy tek padronët e tyre që këta të fundit të bëjnë gati pagesën e radhës.
Shëtitës rrugëve të kryeqytetit sepse për rrethet misioni i tyre mbetet i cunguar, për të bërë ndonjë filmim apo fotografi që të mburren më pas me bëmat e tyre. Teksa prezantohet kjo panoramë, dhuna ndaj të vërtetës bëhet më e ashpër karshi njerëzve që kërkojnë zbatimin e normave ligjore dhe morale. Propaganda sa vjen dhe bëhet dhe më e egër, mbyllen shtigjet e së vërtetës. Me keqardhje konstatohet se shumë zyra kanë dhënë shumë pak rezultate. Ka organizata që po falimentojnë nga paaftësia dhe mbi të gjitha nga mungesa e besueshmërisë. Të tjerë ekzistojnë për inerci, sepse njohin mirë “artin” e manipulimin publik. Pra, gjithologët janë ata që po e shkatërrojnë shoqërinë civile.