Haki Çako aferë 4 milionë euro me Kujtim Lamin për shuarjen e zjarreve nga ajri, kompania fituese fantazmë, pa asnjë mjet dhe me 200 mijë lekë kapital
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako është përfshirë në një aferë flagrante me vlerë rreth 4 milionë euro, me një personazh të quajtur Kujtim Lami, gjoja për shuarjen e zjarreve.
Lami ka marrë paratë për shuarjen e zjarreve nga ajri në zonat e Karaburunit, por pa pasur helikopter apo ndonjë mjet tjetër fluturues. Ndoshta Lami i ka shuar zjarret nga maja e Llogarasë me…
Në 4 prill të vitit 2020, Kujtim Lami ka themeluar kompaninë ‘Vivahelicopters’, me nipt (M01624004A) me objekt shërbime me mjete ajrore për fluturime turistike, mjekësore, operacione ajrore për shuarjen e zjarrit, fluturime luksi VIP etj. Kapitali i kompanisë është 200 mijë lekë.
Pra kemi të bëjmë me një kompani fantazmë, thjeshtë në letra, sigurisht pa mjete fluturuese, pasi me 200 mijë lekë mund të ngresh vetëm një balonë letre.
Çfarë ndodh? Me 16 gusht të vitit 2021, drejtori i AKMC, Haki Çako dhe pronari i kompanisë fantazmë ‘Vivahelicopters’, Kujtim Lami, lidhin një kontratë me vlerë rreth 4 milionë euro, sipas të cilës kompania e Lamit do të fikte zjarret me
helikopter, në zonat e prekura të Gadishullit të Karaburunit, Bashkia Vlorë.
Po nga do ta gjente helikopterin Kujtim Lami për të fikur zjarret, me kompaninë e tij në letra, me kapital 200 mijë lekë?
A e ngriti ndonjëherë helikopterin imagjinar Kujtim Lami për të zbatuar kontratën e lidhur me Haki Çakon, për shuarjen e zjarreve?
Natyrisht që përgjigjen duhet ta japë SPAK-u. Paratë kanë kaluar në llogari të kompanisë ‘Vivahelicopters’, pa kryer asnjë shërbim.
Afera flagrante nuk është edhe kaq e thjeshtë sa duket. Fillimisht ka pasur një urdhër të Ministrit të Mbrojtjes për rritjen e kapaciteteve për shuarjen e zjarreve nga ajri.
Urdhri ngarkonte AKMC, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Drejtorinë e Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar për të marrë masat për caktimin e fondit. Më pas është ngritur një grup pune për përzgjedhjen e kompanisë dhe negocimin e kushteve të marrëveshjes.
Janë përcaktuar disa kritere që duhet të plotësojë kompania, si të ketë kryer punë të ngjashme, të disponojë helikopter të pajisur me mjetet e nevojshme për fikjen e zjarrit nga ajri, të ketë autorizim për të kryer shërbime fluturimi në raste të emergjencave civile, të ketë leje fluturimi, të bëjë njê vetdeklarim që mjetet fluturuese janë në gjendje të mirë teknike dhe operatori zotëron të gjitha kapacitet ligjore dhe teknike për ushtrimin e aktivitetit.
A i ka paraqitur këto dokumente kompania Vivahelicopters?
A janë verifikuar dokumentet nga grupi i punës?
Kush e ka ndjekur zbatimin e kontratës?
Pse nuk është denoncuar në prokurori Kujtim Lami për mashtrim dhe vjedhje?