Sali Berisha, dikur figura më e pushtetshme e tranzicionit shqiptar dhe “kalorës” i vetëshpallur i demokracisë, sot ndodhet përballë një orteku hetimesh të thelluara që po rrezikojnë jo vetëm karrierën e tij politike, por edhe gjithë rrjetin familjar e klientelist që e ka shoqëruar për dekada. Në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) janë grumbulluar disa nga dosjet më voluminoze dhe më të ndjeshme të pluralizmit shqiptar me objekt hetimi vetë Berishën dhe pjesëtarët më të ngushtë të familjes së tij. Hetimet përfshijnë një spektër të gjerë: nga pasuria e akumuluar në mënyrë të dyshimtë për vite me radhë, deri te krimet shtetërore si “21 janari”, ngjarjet e përgjakshme në Tropojë, tragjedia e Gërdecit ku është implikuar Shkëlzen Berisha, deri te transaksionet me biznese serbe ku del Argita dhe lobimi me gjashtë mln dollarë në SHBA, për të cilat SPAK ka thelluar hetimet së fundmi.
ProfitSence Logo
Prokuroria e Posaçme po ndjek në mënyrë intensive këto dosje që shtrihen në fusha të ndryshme të korrupsionit, abuzimeve me pushtetin dhe krimeve të rënda, ndërsa provat, dokumentet, transaksionet bankare, paratë e fshehura e të padeklaruara dhe dëshmitë që po mblidhen pritet të sjellin zhvillime dramatike në vijim. Paniku dhe frika familjes “Berisha” po i lexohet në ballë. Kreu i PD gjatë gjithë kësaj kohe ka përdorur dhe vazhdon të përdorë një sërë manovrash për të penguar proceset gjyqësore dhe për t’u shmangur drejtësisë. Ai e quan hetimin ndaj tij “proces politik” dhe “piramidë mashtrimi”, duke sulmuar dhe iu bërë presion çdo ditë prokurorëve duke tentuar të krijojë narrativën e përndjekjes politike. Berisha zgjodhi që të mos paraqitej në seancën e parë në themel në GJKKO më 30 qershor, duke përdorur taktika zvarritjeje me fletëthirrjen. Para trupit gjykues u paraqit vetëm dhëndri Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.
Oficerët e Policisë Gjyqësore dërguan të premten e 27 qershorit fletëthirrjen për Sali Berishën, e cila është firmosur nga Jamarbër Malltezi. Trupa gjykuese e pyeti Malltezin nëse e ka njoftuar vjehrrin e tij, por ky i fundit pranoi se nuk e kishte njoftuar, pasi sipas tij ishte një kohë e shkurtër, duke thënë se as nuk kishte dijeni nëse Berisha e ka marrë njoftimin që në GJKKO do mbahej seanca. Pyetja që lind natyrshëm është: Nëse Berisha është i pafajshëm, pse po përdor të gjitha këto manovra për të penguar hetimet dhe për të shtyrë gjyqet? Një person që beson tek pafajësia e vet nuk do të kishte arsye të qëndronte në këtë lojë të pafund vonesash dhe akuzash ndaj institucioneve që po kryejnë hetimet. Vetë Berisha konfirmoi pas shtyrjes së seancës se SPAK ka dërguar 16 kërkesa brenda muajit duke nisur hetim 30 vjeçar shtrirë në 3 breza ndaj tij deri tek mbesat e kreut të PD.
Argita Malltezi në panik
Nga ana tjetër ditën e djeshme, Argita Malltezi ka shpërthyer ndaj mediave, veçanërisht ndaj analistit Baton Haxhiu, për korrupsionin e saj dhe të vëllait të vet, Shkëlzen Berishës, gjatë kohës që babai i tyre ishte kryeministër. “Dje, Baton Haxhiu, mjelësi i parave të shqiptarëve nëpërmjet inceneratorëve dhe parave të korrupsionit të Edi Ramës, njësoj si Adriatik Doçi e Karlo Bollino, kreu shërbimin e radhës ndaj Ramës duke më akuzuar mua për korrupsion, për të cilin, në mungesë të provave, iu drejtua bisedave të tij me zogjtë në pemë. I them z. Haxhiu të vijojë bisedat e tij me zogjtë dhe të mbledhë prova për t’i paraqitur në gjykatë ku do të ftohet të provojë deklaratat e tij, sa senile po aq edhe të pabaza.
Haxhiu nuk përmendi asnjë rast për korrupsionin, që shqiptarët të dinin për çfarë e kishte fjalën, sepse edhe ai e di që deklaratat e tij janë fund e krye gënjeshtra. Por kur paratë e inceneratorëve dhe pagesat e Ramës të zënë sytë dhe veshët, si dhe kur erzi njerëzor të ka humbur që prej kur në Hagë u prezantove si aset i UDB-së, nuk të intereson më ç’të nxjerr goja, e shfaqjen e senilitetit e ha me bukë. Në fakt, jo ushtar Haxhiu, por fenomeni i gjobëvënies Haxhiu, Doçi, Bollino e kompani, janë shoqëruesit simbiotikë të narkoshtetit të Ramaduros, që ditën fryhen me para publike dhe natën mashtrojnë për llogari të pagatorit të tyre dhe për të kamufluar krimet e këtij të fundit“, thotë Argita Berisha. “Nuk po them sa i korruptuar është Berisha, por që vajza dhe djali i tij kanë bërë namin, këtë e dinë edhe zogjtë në degë…
Po flasim për një strukturë të organizuar që ka ndërtuar fuqinë përmes një njeriu që ka qenë në pushtet. Nuk mund të mohojmë këtë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Shkëlzen Berisha dhe Argita. Argita ka patur numrin aq të madh të firmave që pagunian fee (tarifë) për tu mbrojtur nga ajo dhe ku, si u bë dikush që sapo kishte formuar firmën e drejtësisë në vitin 2005, të kishte kaq biznese për ti mbrojtur? Si është e mundur kjo?“, tha ndër të tjera Baton Haxhiu në emisionin “Të Paeksopozuarit”, çka solli reagimin e Argita Malltezit. Elmas Bogdani/SOT