“Veprimtaria e Ilir Metës në periudhën e fundit është një veprimtari që mund të trajtohet nga spitali”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një intervistë me Sokol Ballën nga spitali memorial i Fierit.
Rama tha se Meta është një rast klinik i rrezikshëm duke e akuzuar se po përpiqet të nxisë konflikt. Ai tha se 25 prilli është një mundësi për popullin t’i japë një ndëshkim, të shkojë në shtëpi dhe të dëgjojë vajzën.
“Veprimtaria e Ilir Metës në periudhën e fundit është një veprimtari që mund të trajtohet nga spitali këtu. Jemi në zonën klinike. Realisht jemi në zonën klinike. Është rast klinik, i rrezikshëm. Në mënyrë të vazhdueshme po përpiqet të nxisë konflikt dhe të nxisë tension. Nuk ka bërë vaki. Nuk ka president, ndoshta në ato zonat andej të Afrikës mbase ka pasur të tillë tipa. Tipa të tillë sot janë aberracion.
Më 25 prill është një mundësi e madhe që populli të japë një mesazh të qartë dhe të ndërhyjë kirurgjikalisht për ta ndëshkuar fortë Ilir Metën dhe mbase ky ndëshkim mund t’i shërbejë dhe të shkojë në shtëpi dhe të dëgjojë vajzën. Të bëjë detox se me gjithë atë raki që pi, që e marrin zvarrë nga lokalet dhe takimet me subjektet e OFL dhe del në TV dhe shpif.
Është e paimagjinueshme të shikosh një njeri të tillë kaq të lajthitur. Ka Skënderbeun në sfond, ka flamurin tonë në sfond, përgojon gjithë dynjanë dhe dekoron gjithë dynjanë. Jemi në kushtet e një spektakli absurd. Ilir Meta duhet të ishte realisht një personazh që do të krijonte hilaritet të madh nëse do të shfaqej në një emision satirik të një televizioni. Ky është vetë presidenti, ky është fundi”, deklaroi Rama.