Mazhoranca qeverisëse është hedhur në sulm ndaj presidentit. Ky i fundit ka marrë revansh kohët e fundit, mirëpo PS ka ndryshuar strategji, duke kaluar nga heshtja në sulm.
Përveç kryeministrit, dje në sallën e Parlamentit kritika ndaj tij ka lëshuar dhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla.
“Sot për fat të keq Ilir Meta është një person që nuk mund të jetë kurrsesi President i shqiptarëve. Një njeri që ka lënë mantelin e Presidentit të Republikës në gardërobë dhe është hedhur në ish-partinë e tij me shpresën se mund të “peshkojë” ndonjë person që ende nuk e ka kuptuar se çfarë përfaqëson Ilir Meta.
Ka plot prova publike për pazaret që mundohet të bëjë Ilir Meta ditë-natë, duke përdorur zyrën e Presidencës. Hesapet me Ilir Metën do të lahen përfundimisht më 25 prill”, tha ai. Balla u ndal dhe te lajmet e pak ditëve më parë se është gati të lërë detyrën. Më tej ai u shpreh se shumë shpejt ligji për izolimin e tij do të jetë gati. “Unë uroj që thashethemet që Ilir Meta shpërndan nëpër media, se gjoja do lërë mandatin, t’i bëjë realitet.
Ta lërë zyrën e Presidentit, sepse në krye të shtetit shqiptar në vitin 2020 duhet një President Republike, i cili të qëndrojë mbi palët dhe të bëjë detyrën që i takon. Deri atëherë do na duhet që në Kuvend të përmbyllim edhe ligjin për Presidentin e Republikës, sikurse edhe plot projektligje të tjera, ndër të cilat edhe ligjin për mediat audio-vizive. Ne po vazhdojmë një punë të shkëlqyer me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, me OSBE, për të dhënë një ligj model për të gjithë vendet që kanë probleme të mëdha me lajmet e rreme”, tha ai.
Balla foli dhe për miratimin e Kodit Zgjedhor. Ai deklaroi se në realitet deputetët e opozitës janë kontaktuar nga PD dhe LSI që të votojnë për KQZ e re. “Gjej rastin të falënderoj edhe deputetët zyrtarë tashmë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë sallë, që votuan për këtë marrëveshje.
Pra, ta themi troç, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kontaktuar dhe udhëzuar deputetët e opozitës parlamentare, që të votojnë në seancën e sotme. Duhet të jemi të sinqertë dhe të pastër me popullin. Kjo është një marrëveshje, e cila është respektuar 100% nga ana jonë.
Asnjë votë nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk është kundër kësaj marrëveshje. Pra, katër nga çështjet e votuara sot, janë dakordësuar me PD-në, LSI-në dhe partitë e tjera jashtë Parlamentit”, tha ai më tej.