Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas emërimit të Ina Majkos si zv.ministre e Shëndetësisë.
“Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.
Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit.
Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.
Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale.
Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”, shkruan Rama.