Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) rreth nivelit të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë gjatë vitit 2018 tregojnë se mesatarja e të ardhurave u rrit me 5.75 për qind krahasuar me vitin 2017-të, duke shkuar në 571 mijë lekë.
Por këto të ardhura, të analizuara nga Monitor, janë sa 31 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian.
Kështu Shqipëria mbetet ndër vendet me mesataren më të ulët në Evropë, ndërsa veriu vijon të jetë më i varfëri në vend.
Në ndarjen në rajone, veriu pati për mesatare të PBB-së 462 mijë lekë për frymë, jugu 511 mijë lekë, ndërsa rajoni qendror 692 mijë lekë.
Në tërësi të gjitha rajonet patën rritje me 4.7-10.4 për qind krahasuar me të dhënat e vitit 2017, por që polarizimi i zhvillimit në vend vazhdon të theksohet.
Ndërsa rajoni qendror ka 21.2 për qind PBB mbi mesataren e përgjithshme të vendit, veriu e ka këtë statistikë 19.1 për qind nën mesatare.
Nëse flasim për qytete, INSTAT ka renditur Tiranën si qytetin me PBB-në më të lartë, 783 mijë lekë për person, ndërsa Kukësi, është qyteti me PBB-në më të ulët, 362 mijë lekë për frymë – ose ndryshe sa dy herë më pak PBB-ja e Tiranës.
Pas Kukësit vijnë Elbasani me 398 mijë lekë, Dibra me 403 mijë lekë, Lezha me 410 mijë lekë dhe Shkodra me 419 mijë lekë.