Nga Hysen Haxhiaj*
Unë nuk jam nga ata që të besuan. Kur kam dalë nga skëterra e kampeve dhe burgjeve komuniste u zhgënjeva që në fillim. Se si më dukej ajo ‘’demokraci’’ e startuar “nën udhëheqjen” e një komunisti fanatik. Kur vije në grevën e vitit 1991, i ulje sytë për tokë, kur unë të tregoja tmerret e komunizmit.
Qysh atëherë më bëre të dyshoj. Por kur lexova Katovicën dhe fjalën e Ramiz Alisë në byro më 1989 u binda. U binda se ishe një nga satanët që komunizmi po na linte prapa. E ndjeva në shpirt thikën kur na bëre “bashkëfajtorë” kur ne ishim viktimat; ti dhe lajkat e tua më tronditën në funeralin e O.Kazazit, donit të na i merrnit edhe si kufomë, a thua se unë, si bashkëvuajtës i tij dhe si nënkryetar i shoqatës së tij, ishim keq për lajkat e tua. O Zot, – mendova, – edhe kufomat do t’i përdorin këta kafshë për t’u thënë njerëzve se “ne jemi demokracia”?
Kisha dëgjuar prej atëherë për mjekun dhe sekretarin S.Berisha atë historinë që vetëm se pa dashje dikush mbështolli bukën me Z.P e bëri “problem partie”. Por nuk mendova se kaq gjatë e kaq shumë vite do kishe guximin (ose çmendurinë) të quheshe “demokrat”. E nise si “lider i opozitës”.
Pyesja veten asokohe, e pyes edhe tani: I kujt opozite? Ti misionar i suksesshëm i komunizmit, bëre një punë që nuk do ta bënte dot as Ramiz Alia me gjithë Byronë e tij; nuk le të djathtë shqiptarë që nga partitë e shoqatat pa e shënjestruar e pa i futur në prehër përçarjen. Një pjellë e Katovicës je!
U tha atje: “shaj komunizmin në themel e në çati, vetëm në krye të jemi ne komunistët që të kontrollojmë çdo grupim” – dhe ti e mësove shpejt mësimin; po aq shpejt sa mësoje përmendsh paragrafët e librave të diktatorit.
Misionin më të vështirë, më të ndyrë dhe më kriminal ty ta ngarkuan. Dhe vijoj pyes veten: Ku janë ata që hynë në politikë asokohe për një demokraci të vërtetë? Pse ende sot ky dreq “demokrat i djathtë” mbron ligjin 7501 me kaq forcë duke trumbetuar se po u dhanë pronat do bëhet luftë? Por ty vetëm ajo karrige e gjakosur pushteti të intereson. Nuk e harroj dot kurrë si munde të rizgjedhësh veten President ato ditë të tmerrshme të 97-s ndërkohë që jashtë anarkia (që ti kishe detyrën të shmangie) vriste djem e vajza shqiptare.
Me servilët dhe shërbëtorët e tu nuk munde të bëje dot asgjë më tepër se të nxisje vëllavrasjen. Ti je bashkëfajtor për krimet e ’97-’98-s, ti duhet të kishe shkuar me kohë të jepje llogari për 7000 jetët e shuara shqiptare, e jo më të merrje të tjera. Por ky popull ndihet kaq i lodhur nga ty, nga byroistët dhe K.Q-rat, nga sekretarët e “pamposhtur” të partisë; nuk e meritonte këtë mynxyrë ky popull i urtë, por nuk e di nga e gjete ti këtë urrejtje dhe na e zbrite mes nesh nga ato male e pyje ku u rrite.
Eh, sa herë është dashur të të themi “ndal” përgjatë këtyre viteve: ndal more se po vriten djemtë e Shqipërisë, ndal se po digjen fabrika e uzina të bëra me gjakun tonë; ndal more se ky popull nuk të do se je i ligë, e provove që më ’94 kur dole në qytet, fshat e lagje dhe more 24% për kushtetutën tënde, e provove dhe e riprovove sa herë të pushkatoi vetë populli politikisht me votën e tij.
Por ti vazhdon me dhunën dhe prepotencën e një komunisti; rrahe pronarët – të burgosurit dhe të persekutuarit i gjakose, por më e tmerrshmja i ndave, u fute grindjen me vetëdije; na ke bërë 4 Shoqata, Ballin Kombëtar, 3 parti Legaliteti , 2 Parti dhe 5 copa partie nga “nëna” Parti Demokratike.
Sot gjen ende guxim të flasësh në emrin e ëndrrës sonë, trumbeton se përfaqëson shpresën tonë, por kurrë nuk të beson askush, edhe nëse dikush të thotë ndryshe, thjesht do të përfitojë diçka nga babëzia jote perverse për pushtet. Ulërimat e tua le të trembin ata që tremben, por ata që kanë dy pare mend e dinë shumë mirë se kush është misioni yt dhe i atyre si ty: të vijoni ta lini Shqipërinë dhe politikën e saj pa të djathtë.
Ndaj në neveri-shoun tuaj të përnatshëm televiziv i djathti thotë se është i majtë dhe i majti thotë se është i djathtë. Por në natën e zezë si vetë misioni juaj, putheni dhe ndukeni nga hareja e fitores mbi mjerimin e një populli të sfilitur.
Shpesh ndihem keq me veten dhe krahasoj: Babai yt shpirtëror na futi në burgje dhe internime por kurrë nuk arriti të na ndajë me njëri tjetrin. Ne, atje ku ishim bashkë me vdekjen, as spiunin dhe as hajdutin nuk e shanim dot… Kurse ti këtë kontigjent na i kundërvure derisa na e nxinë jetën. Disa prej nesh ikën nga sytë këmbët dhe nuk deshën të dinin as për ideal e as për atdhe. Një pjesë si unë rezistoi deri më sot edhe pse na e nxive jetën me demo-komunizmin që ndërtove. Të tjerët po digjen të gjallë në rrugë.
Përsa i përket grevës, ata burra nuk janë ashtu si i sheh syri yt prej komunisti të vjetër. Ti as e kupton dot si ndihen ata. Ti dhe komunistët e tjerë u morët ëndrrat, rininë, jetën dhe sot u kërkoni të durojnë injorimin tuaj. Ligji – thua ti, histerik që kalon në agoni kur sadopak ta prekin egon. Cili ligj – po të pyes? Ai ligj që e ndryshoni sa herë ju do qejfi? Po përtej ligjit, çfarë ka o i paudhë? A e ke dëgjuar ndonjëherë fjalën humanizëm ti, o mjeku i partisë?
Ti dhe komunistët e tjerë na dërrmuat se patët në dorë pjesën më të ndyrë të shtresës sonë. Me ta na rrahët, na shatë, na hodhët baltë, por ne nuk na larosi balta e Hoxhës dhe jo më e jotja. Megjithatë ca i vdiqe, po a mendon për brezat që vinë pas? Do të ta bëjnë gjyqin, – them unë e në mos dalshin djem të zotë deri atëherë, atë gjyq do të ta bëjë Zoti, i cili i sheh te gjitha. Po ai Zot që më bën sot ta ndjej shumë afër fundin e kësaj tragjedie kombëtare që nisi 22 vjet më parë.
*Hysen Haxhiaj, ish-i burgosur politik, sot është kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Dënimin (15 vjet) e ka kryer në burgjet e Spaçit dhe Burrelit