Banka e Shqipërisë duket se po mbështet çdo çmenduri të bankave. Në fillim të javës, disa banka të nivelit të dytë kanë ndryshuar sistemin e tyre tarifor.
Shumë klientë janë ankuar se bankat krejt papritur kanë rritur përqindjen e komisioneve, si për tërheqjet e parave, ashtu dhe për depozitimet.
“Në varësi të shumës, komisioni për tërheqje cash do të jetë 150-1.500 lekë/1.5-12 në monedhë të huaj. Ndërsa për depozitimet cash do të jetë 10-1.200 lekë/ 1-12 për monedhë të huaj.
Gjithashtu për veprimet në ATM % 26 POS jashtë vendit me Kartën e Kreditit në monedhë të ndryshme nga ajo e kartës do të aplikohet komision 2% mbi shumën e veprimit”, thuhet në mesazhin që bankat u kanë çuar klientëve. Për këto rritje, dje u pyet dhe guvernatori Gent Sejko.
Ai doli në një konferencë shtypi mbi vendimet e Këshilli Mbikëqyrës, ku foli dhe për rastin në fjalë. Sejko u rreshtua krah bankave. Edhe pse deklaroi se ka nisur një verifikim, ai u shpreh se kjo është ekonomi e tregut dhe bankat vendosin vetë sa do i kenë tarifat.
Pra guvernatori pa mandat legjitimon grabitjen e qytetarëve. Në mënyrë krejt të papritur një bankë ndryshon tarifat dhe kushdo që ka lekë aty duhet të paguajë më shumë para shtesë.
Ndërkohë për BSH, bankat e vendosin vetë një gjë të tillë. Dhe nuk është detyra e saj të marrë masa. “Ne jemi në një treg të lirë. Bankat nëse respektojnë kriteret e transparencës dhe kushtet e kontratës i rrisin komisionet e tyre.
Sigurisht. Ky është element i konkurrencës, pasi një bankë që rrit çmimet do bëhet më pak konkurruese se një bankë tjetër. BSH si ent rregullator nuk ndërhyn direkt për ndryshimin e çmimeve të bankave të nivelit të dytë”, tha dje Gent Sejko.
Euro
Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë dhe sa i takon rënies së euros. Edhe pse euro po bien nën 1.2, Guvernatori Sejko deklaroi dje se kjo ka ardhur për shkak të emigrantëve.
Megjithatë ai u shpreh qartë se BSH nuk do marrë masa pasi nuk ka ndikim në inflacion. “Kjo ndodh për shkak të sezonit turistik. Ka shumë hyrje. Jemi në një treg të lirë.
Kemi regjim të lirë të kursit të këmbimit. Oferta e shtuar vjen nga sezoni turistik. BSH ka bërë të ditur në programin e saj se do të ndërhynte për të tërhequr tepricën e euros në treg në rast se do të cenohej objektivi i saj i inflacionit.
Brenda parametrave ne monitorojmë tregun se si luhatet kursi i këmbimit. Sjellja e kursit të këmbimit ka qenë e rregullt. Ka një sjellje normale. Ne do ndërhynim nëse cenohet inflacioni”, tha ai.
Situata ekonomike
Banka e Shqipërisë ngelet e mendimit se ekonomia është në fazë përmirësimi dhe ajo do të kthehet në ekuilibër vitin e ardhshëm. Megjithatë, luhatjet në prodhimin e energjisë elektrike pritet të kenë një ndikim të ndjeshëm në ekonomi.
Në tremujorin e parë të vitit, tkurrja e prodhimit të energjisë e uli me 1.6 pikë përqindje rritjen ekonomike, ndërsa për pjesën e mbetur të vitit ndikimi i këtij sektori pritet të jetë më i ulët.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1 për qind. Në orientimin për tregjet, Banka e Shqipërisë shprehet se normat e interesit nuk do të rriten para tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm.
Jo vetëm kaq, por së afërmi mund të aplikohet edhe një ulje e mëtejshme e tyre, duke pasur parasysh nivelin e ulët të inflacionit. Banka Qendrore e ka shtyrë parashikimin për kthimin e inflacionit në objektiv për në gjysmën e dytë të vitit 2020.