Ish i përjetshëm Sali Berisha nuk ka humbur kohë për të uruar kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, për detyrën e re. Me shpresën se mund të ndodh mrekullia dhe t’i hiqet damka britanike – meqënse amerikania do goxha punë dhe përpjekje – Berisha ka folur gjithë superlativa për figurën e Sunak, të cilin e konsideron “njërin prej personaliteteve më të njohur të Partisë Konservatore britanike, si dhe politikanin dhe ekonomist të shquar me reputacion botëror”.
Por elozhet s’kanë fund këtu? Berisha thotë Rishi Sunak bëri historinë, ndërsa nuk heziton të krahasojë figurën e tij me Barack Obamën, për të vënë në dukje se si dy emigrantë, nga nga Afrika Lindore dhe tjetri nga India, ia dolën të udhëheqin dy vendet më të fuqishme në botë.
“Rishi Sunak bën historinë! Zgjidhet kryeminister i Mbreterisë së Bashkuar.
Të dashur miq,
Partia Konsevatore e Britanisë së madhe zgjodhi dje për kryeministër të Mbreterisë së Bashkuar njërin prej personaliteteve më të njohur të saj, politikanin dhe ekonomistin e shquar me reputacion botëror, Rishi Sunak.
Zgjedhja e tij dje si kryeministër u krahasua me zgjedhjen e Barack Obamës si president i SHBA sepse prindërit e Sunak janë të dy me origjinë indiane dhe kanë ardhur në Angli nga Afrika Lindore.
Rishi Sunak ishte minister i financave në kabinetin e Boris Johnson dhe pas dorhëqjes së këtij të fundit në shtator, garoi për postin e kryeministrit e Britanisë së Madhe. Por, këtë qëllim e realizoi me shpejtësi pas dorëheqjes së kryeministres Truss.
Me këtë rast, le ti urojmë ne kryeministrit Rishi Sunak suksese të mëdha në udhëheqjen e Partisë Konservatore dhe Mbreterisë së Bashkuar”, shkroi Berisha.
Vlen të theksohet se, Mbretëria e Bashkuar nën udhëheqjen e Boris Johnson shpalli Sali Berishën “non grata”, pasi akuzohet për lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, që kanë paraqitur rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në letrën e marrë nga Sekretari i Brendshëm i Britanisë së Madhe, Berisha akuzohet se i ka përdorur lidhjet me krimin për të avancuar ambiciet e tij politike. Po ashtu, ai akuzohet për korrupsion dhe pasurimin personal të tij dhe njerëzve pranë tij, ku si shembull është marrë edhe lidhja me Damir Fazlliç. Ndërkaq, ashtu siç pritej, Doktori akuzoi Sorosin për konspiracion ndërkombëtar sa i përket vendimit të marrë kundër tij.