Prokuroria e Posaçme ka fundosur ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe ish-anëtarin e kësaj gjykate Fatos Lulo. Të dy ish-gjyqtarët ngelën në procesin e vetingut, por ndaj tyre nisi një hetim penal për fshehje të pasurisë.
Bashkim Dedja ka një shtëpi në Durrës dhe nuk e kishte deklaruar, ndërsa Fatos Lulos iu zbulua një dyqan në Tiranë.
Pas hetimeve dosja u mbyll dhe SPAK dërgoi në gjykatë dosjen e dy ish-gjyqtarëve. Në njoftimin zyrtar të SPAK thuhet se ndaj Lulos dhe Dedjes janë ngritur akuzat për refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, e kryer në formën e deklarimit të rremë.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 137/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve:
Fatos Lulo, me detyrë ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Bashkim Dedja, me detyrë ish-kryetar i Gjykatës Kushtetues të Republikës së Shqipërisë, i akuzuar për të njëjtën vepër penale”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Nisja e hetimit
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi hetimin ndaj dy ish-gjyqtarëve kohë më parë. Fatos Lulo ishte i pari nga radhët e togave të zeza që iu nënshtrua vetingut dhe gjithashtu i pari që humbi vendin e punës për shkak se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se pasuria e tij prej qindra mijëra eurosh nuk mund të justifikohet me burime të ligjshme.
Ndërsa, Bashkim Dedja u shkarkua nga shkalla e dytë e vetingut. Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur.
Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve. Dërgimi i dosjes për shqyrtim për dy ish-gjyqtarët Bashkim Dedja dhe Fatos Lulo është një sinjal që tregon se SPAK do të vijojë që të godasë edhe të tjerë emra që janë nuk kanë kaluar vetingun, për shkak të fshehjes dhe të mosdeklarimit të pasurisë.