Ilir Meta ka dalë në një pozicion shumë ekstrem ditën e sotme.
Teksa ka nisur ditën i mbështjellë me kapuç në pikë të diellit, fotoja e të cilit tashmë ka bërë xhiron botërore të rrjetit, Meta ka dalë dy herë para mediave duke kërcënuar, fyer dhe dalë tërësisht jo nga “kostumi” i Presidentit, por dhe nga binarët e ligjit dhe të një njeriu normal.
Nuk është e udhës për të përmendur të gjitha kërcënimet e tij, që nisin me prerje duarsh ndaj atyre që ai i quan “patronazhistë-fuksa”, të cilët për hir të së vërtetës kanë funksionuar me kapacitet të plotë si në çdo parti dhe në luftën brenda llojit në të njejtën parti.
Meta nuk besojmë se harron copat e letrave që dërgonte gjatë përplasjes me Fatos Nanon, ish kreun socialist, kur përcaktonte dhe orientonte FRESSH-istët për të votuar për anëtarët e KPD apo kandidatin për kryetar partie.
Apo listën e mbështetësve kundër “Llaçit” siç e quante Nanon.
Për të vijuar më pas, ku të gjitha partitë kanë një database, në të cilën janë evidentuar të gjithë mbështetësit! Ka qënë dhe ai mbështetës i atëhershëm i Fatos Nanos për zgjerimin e partisë jo vetëm me anëtarë por dhe me mbështetës, të cilët duhet të evidentoheshin dhe “të mbaheshin pranë”. Nga ajo listë ka marrë shumë që bëri ministra, apo më pas bashkëthemelues të LSI!
Kështu ka vepruar dhe PD dhe partitë e tjera, por kryesisht tre partitë më të mëdha PS, PD dhe LSI i kanë këto database, të cilat nuk është se janë të sigurta apo të rinovuara.
Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që në një ditë të marrin në telefon sidomos nga PD dhe LSI për të të pyetur dhe orientuar se kujt do ia japin votën për ndryshimin më 25 prill. Shqetësohemi dhe ne, por nuk e quajmë presion i këtyre punëtorëve partie!
Gjithkush mund të pyesë se ku i kanë marrë numrat e telefonit këto zonjushat e selive të partive të opozitës, për të të pyetur se për kë voton dhe që në një rast u bënë aq qesharake, teksa një i telefonuar u tall rëndë me të, bisedën e të cilit e kanë dëgjuar dhe lexuar në rrjet.
Por sheqetësues është fakti që presidenti i Republikës Ilir Meta, nga selia e Presidencës deklaron se deri më 26 prill do presë çdo denoncim, do marrë çdo masë për të dënuar ata që patronazhojnë dhe klikën në fuqi.
Nuk po hyjmë për shqetësimin që mund të ketë Ilir Meta për përgjimet që sipas tij kanë cënuar jetën intime të tij dhe të opozitës, duke shërbyer dhe si bazë shantazhimi.
Për këtë Ilir Meta, nëse ia kanë cënuar jetën intime, le të merret drejtësia e re, shërbimet sekrete, por pas ankesës së tij, pasi nuk cënohet siguria kombëtare në këtë rast për të bërë ndonjë veprim tjetër administrativ më të gjërë.
Nëse ka ndodhur një gjë e tillë, gjithnjë themi se duhet të ndërhyjë fort drejtësia me çfarë përmban ligji, shqetësimi i Presidentit duhet të merret parasysh, pasi jeta private dhe intime është e shenjtë.
Por kërcënimi i Metës, për herë të dytë brenda një dite se nëse opozita nuk merr 90 deputetë, atëherë vota është vjedhur nga qeveria, paralajmëron destabilizim të vendit.
Nuk po flasim se sa shumë e ka ngritur “stekën” e mandateve Presidenti që i ka “taksur” gruas së tij e Bashës, për të marrë mandate në emër të opozitës, pasi është e pakapërcueshme për të gjitha partitë politike.
Nuk e kanë kapërcyer që në vitin 2001 kur ai ka qënë kryeministër dhe akuzohej nga kreu i atëhershëm i opozitës Sali Berisha se kishte vjedhur votat me polici dhe përmes “dushkut” të famshëm.
Dhe sikur të mundohen komisionerët nga të gjithë partitë që ti bëjnë aq vota, madje dhe duke i vjedhur, nuk i bëjnë dot votat për 90 deputetë për një krah politik. Eshtë gati shumicë kushtetuese, për një opozitë të lodhur dhe të bjerrë siç është PD e LSI!
Por fakti është se ky është një kërcënim i hapur ndaj votuesve shqiptarë, komisionerëve dhe politikës, se nëse opozita nuk merr 90 deputetë atëherë votat janë vjedhur dhe për pasojë vendi do të zhytet në kaos, ku përbën një paralajmërimi për destabilizim të vendit.
Këtë ka parasysh Ilir Meta teksa kërcënon se 2 marsi do të bashkohet me 26 prillin dhe nëse nuk jep rezultatin e dëshiruar atëherë populli do të marrë situatën në dorë.
Ky është një kërcënim i hapur dhe përbën nga krim të hapur elektoral, jo i berë vetëm nga Ilir Meta që kishte vënë kapuç në kokë në mëngjes dhe që shqiptarët e panë përmes fotove, por nga Presidenti i Republikës mu në podiumin e kreut të shtetit.
Organet ligjzbatuese duhet ta marrin shënim këtë rast, nuk duhet të mjaftohet as politika me shprehjen se “hë ka lajthitur Ilir Meta”, dhe duhet të kishte filluar menjëherë hetimi.
Ndërkohë që dhe ndërkombëtarët nuk është se nuk e kanë dëgjuar dhe mbajtur shënim. Aq më tepër që kërcënimet e Metës për destabilitet në Shqipëri, nëse opozita nuk merr 90 mandate deputeti, nga 140 të tillë që ka Parlamenti i Shqipërisë, janë bërë vetëm pak orë pas takimeve në Elbasan të ambasadorëve të BE me në krye Sorecën, të cilët bënë thirrje për ndalimin e kërcënimeve dhe gjuhës së ashpër në fushatë.
Ilir Meta është në fushatë me kapacitet të plotë, po kërcënon po në emër të një pale politike, madje vë dhe kushte ndaj qytetarëve, votuesve, administratës zgjedhore se dua me patjetër 90 mandate për Bashën dhe Kryemadhin ose ndryshe bëhet nami. Pra, destabilizimi është projekt!(M.N-TemA)