Nga Frrok Çupi
As do të më shkonte mendja aq kohë prapa nëse nuk do të më shfaqej në video e ditës me testamentin mes Sali Berishës dhe kushëririt të tij, po me këtë mbiemër.
-Ju zoti President po manifestoni forcën e madhe që ka një njeri si ju para pengesave dhe komploteve të mëdha- tha Berisha i vogël, një ambasador në kohën e ‘të madhit’, dhe ish masovik në shtëpinë e kulturës Laç.
Tjetri tundi pak këmbën në kolltuk, kruajti zërin dhe miratoi me gjithë qenien. “Po, tha, e vërtetë është.- Ju falënderoj që ma vini në dukje.
Ngjarja ka ndodhur dje ose pardje në selinë e pushtuar të PD.
Por të njëjtën skenë e kam parë në sheshin Tienanmen të Pekinit. Nuk ma mbush mendjen njeri se nuk e kam parë që atëherë. Mao Ce Duni kishte vdekur, por mijëra e miliona njerëz mbushnin sheshin për të vizituar sarkofagun e tij. U mahnita me vargun pafund të njerëzve me lule në duar; vargu bënte zigzake në gjithë sheshin e lavdishëm të Kinës, si për të dëshmuar se aty ishte ngulur morti përjetë.
Dy persona më shoqëronin nga agjencia kombëtare e Lajmeve, HSINHUA, gjithë ato ditë. U thashë se dua të vizitoj Maon.
-Jo- më thanë prerazi, si të kisha thënë ndonjë mëkat.
“Nuk e kemi në program”, më tha njëri që kujdesej më shumë për frazat.
Bëra sikur u binda, por sa gjeta një moment shkujdesjeje, hyra në radhën e njerëzve me lule. Orë të tëra. Sa më shumë gjarpëronte radha për te dera e sallës ku prehej Mao, njerëzit ia plasnin të qarit; aq shumë qanin rrethe rrotull sa ti ndjeheshe o ‘në faj’, ose ‘armik i Maos’. Siklet i madh. Ndoshta edhe kjo ishte arsyeja pse dy shoqëruesit nga HSINHUA nuk deshën që unë të hyja; arsyeja që ‘aman ç’e do Maon tani…, me ata njerëz që kushedi nga kanë ardhur e tani qurraviten në Tienanmen’.
Gjithçka kishte nisur ndryshimin e madh në Kinë, madje edhe duke e nxjerrë vendin nga humnera ku e kishte lënë Mao; por ata qanin për Maon. Tamam në sheshin Tienanmen, Mao kishte shpallur Republikën Popullore të Kinës në 1 tetor 1949, por Kina kishte hyrë në rrugën e kapitalit. Miliona njerëz që gjithë ditën shijonin modelin ekonomik të Ten Hsiao Pin, një armik i Maos; por në mbrëmje plot prej tyre niseshin për gjithë natën drejt sarkofagut Mao.
Në sallën e madhe ku shtrihej Mao, e cila kishte qenë një sallë e Ushtrisë Popoullore, aty kishte plot agjentë dhe njerëz të fandaksur të ardhur nga ku ta dish. Binte erë djersë sa mbyteshe. Një kinez i madh, trupmadh sa nuk kisha parë, mbante në dorë një orë prej floriri dhe qante. ‘Mos ma prekni orën- thoshte- mos ma prekni!’. Ora mbante figurën e Maos dhe ishte e larë në flori. E bleu aty në sallë nga një shitës ambulant. 10 mijë dollarë i dha tjetrit në ‘cash’. Tha se e kishte për dhuratë në dasmën e të birit.
“Djali m’i solli dollarët nga Amerika dhe jam me fat që bleva orë me Maon”.
Gjithë Kina, në atë kohë, ndodhej në këtë situatë: Shijonin ndryshimin kapitalist, por një sy me Mao Ce Dunin. Kompleksi Ten Hsiao Pin në Shangai ishte ngritur për t’i dëshmuar botës se ‘kemi ndryshuar, ç’ne Mao Ce Duni tashmë ’. Po hajde thuaju disave!.
Kështu ndodh me shumë njerëz në këtë botë; madje edhe në vendin tonë- padyshim. Jetojnë jetën moderne të ditës, por ëndrrat i shohin kur flinin në kotecin e pulave. Edhe vetë politikanët e opozitës jetojnë më në luks; me apartamente e vila luksoze, por tërheqin andej nga ‘koha e Saliut’. Saliu tani ka mbaruar, thotë marrëzira, mbytur në demenca dhe në obsesione, ngatërrohet me shifrat dhe me këmbët e veta, në sallën e mbledhjes vë kapele minatori ndërsa në minierë nuk hyn kurrë nga frika . Shokët e tij e dinë se s’kanë gjë prej tij, por janë hileqarë, duan të kthehet prapë grabitja, balta, shëmtimi, vjedhja, vrasja…. Aty ata ndihen si në shtëpi të tyre dhe ndërkohë ia bëjnë varrin prapë vendit. Këta janë më të qartët për sarkofagun. Po ka njerëz që asgjë nuk fitojnë, madje humbin edhe këtë jetë që është ndërtuar…, por prapë ‘me orën e Maos’ flenë.
Me sa duket ka ndodhur që vendi pëson zhvillim më të madh se vetë një pjesë e shoqërisë; këta bëjnë pas, vendi përpara. Vendi po hyn në BE, por këta janë larg; thjesht do ta gëzojnë pa ditur çfarë po bëjnë…
Si ora flori e Maos dhe kinezi trupmadh me dollarë nga Amerika. S’kam për ta harruar kurrë, aq më tepër tani me videon kur ‘presidenti Berisha’ pret në zyrë kushëririn e tij, po Berishë, dhe ky i thur lavdi si fis.
“Po, po!- thoshe Saliu- e vërtetë është, faleminderit”.