Në muzgun e tij politik dhe në grahmat e fundit të pushtetit, kryeministri Sali Berisha i është rikthyer edhe një herë kartës antikomuniste dhe lojës së baltosjes së kundërshtarit me çdo mjet.
Edhe pse Lulzim Basha u zgjodh kryebashkiak i Tiranës falë 2 mijë votave të partisë së Hysni Milloshit, Berisha akuzon Edi Ramën se ka katër parti komuniste në koalicion.
Ndonëse Berisha ishte i pari ai që iu lut kryetarit të Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti, për t’i bërë pjesë e koalicionit parazgjedhor të Partisë Demokratike, tani Berisha deklaron se kjo parti është e Dritan Dajtit. Duke dashur të paraqesë Edi Ramën si një njeri të lidhur me krimin, Berisha deklaroi dje se Rama ka marrë në koalicion partinë e Arben Frrokut dhe Dritan Dajtit, i pari i akuzuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, ndërsa tjetri i akuzuar për vrasje të shumëfishtë.
Ndërkaq, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti. Duke e kujtuar kryeministrin spiun të UDB Jugosllave, Dajti i kujtoi kryeministrit Berisha ftesën që u bëri komunistëve për koalicion parazgjedhor. Po ashtu, Dajti sqaron se partia që ai drejton nuk ka lidhje me Dritan Dajtin. Po ai shton se Berisha e ka pasur mik Dritan Dajtin. “I dashur ish-shoku ynë, Sali Berisha.
Nuk mjafton një mbiemër për të përfaqësuar një parti, sikurse nuk mjafton një mbiemër për të përcaktuar një fis. Jam shumë i bindur se edhe Bogdani që bën deklarata të papërgjegjshme me urdhërin tuaj nuk përfaqëson Bogdanët, sikurse ti nuk përfaqëson Berishët. Me gënjeshtra dhe shpifje të tilla nuk fitohen votat në zgjedhje.
Dritan Dajti ka qenë mik i Sali Berishës dhe anëtar i Partisë Demokratike dhe nuk ju takon as ta shisni mikun, as ta përdorni për propagandë. Ndërsa është plotësisht e vërtetë se unë, Marko Dajti, jam mik i Ilir Enver Hoxhës. E kam për nder dhe mund t’ju them edhe më shumë:
Jam krenar që jam besnik i idealeve të heroit tonë kombëtar, shokut Enver Hoxha dhe jo si shumë nga ju, ish-anëtarë dhe spiunë që tradhëtuat dhe shkelët betimin për besnikëri ndaj partisë, popullit dhe atdheut. Me mashtrime erdhët në pushtet dhe me mashtrime kërkoni të mbani karrigen, por 23 qershori po afron. Popullin nuk do të mund ta gënjeni përjetë”, ka deklaruar Dajti.
Ndërrimi i teserave
Kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti, ka deklaruar se Berisha e ndërroi tesrën e kuqe me tesrën blu. “Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar i bën të ditur opinionit publik se nuk është partia e Dritan Dajtit, siç mundohet ta paraqesë Sali Berisha gjatë gjithë këtyre ditëve, por është parti e idealeve komuniste marksiste-leniniste.
Unë personalisht nuk e kam shkelur betimin që kam bërë një herë të vetme në jetën time, sikurse kanë bërë ata që kanë shkelur me këmbë teserën e kuqe për të marrë atë blu. Deklaroj pa frikë se kam qenë dhe do të mbetem komunist, do të jem përherë në shërbim të shoqërisë dhe të vendit tim.
Nuk jam vënë kurrë në shërbim të të huajve, aq më tepër të armiqve të kombit shqiptar, sikurse kanë bërë politikanët që sot merren me emrin dhe mbiemrin tim”, ka deklaruar ai.
Berisha kërkoi aleancë me komunistët
I informuar për vendimin e LSI për t’u larguar nga koalicioni, Berisha u është lutur për aleancë çdo partie, të majtë apo të djathtë, komuniste apo nacionaliste, minoritare apo fetare. Kryeministri ngriti një grup të posaçëm për koalicionet, i cili negocioi me parti të majta dhe djathta. Por, Berisha shkoi më lag. Ai ftoi edhe komunistët në koalicion.
Kreu i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti deklaroi se ka pasur një ofertë nga përfaqësues të kryeministrit Berisha, me qëllim që partia e saj të rreshtohej në koalicionin e PD. “Kemi pasur një ofertë nga përfaqësues të Partisë Demokratike, konkretisht nga Ferdinand Poni.
Por ne nuk mund të bëjmë kapërcime të tilla. Ne komunistët u qëndrojmë fort idealeve dhe parimeve tona. Nuk mund të bëjmë koalicion me njeriun që i shërbeu për 25 vjet Partisë së Punës së Shqipërisë dhe më pas iu kundërvu për interesa politike”, tha ai. Më vonë, Dajti i vuri kusht Berishës rivendosjen e bustit të Enver Hoxhës aty ku u rrëzuar 22 vite me parë. Adriatik Doçi