Nga Arsen Rusta
Deri në vitin 2024 Emiratet e Bashkuara e përkatësisht Dubai ishte parajsa penale e bosëve të krimit shqiptarë. Askush nuk ekstradohej apo deportohej nga aty edhe pse mund të ishte i dënuar apo në kërkim. Ndërsa numri i atyre që kanë ardhur nga shapka e deri me pranga ka shkuar në 6 persona dhe ka të tjerë në pritje.
Dubai një parajsë penale e shqiptarëve të kërkuar nga drejtësia apo konsideruar si bosë të krimit nuk është më i tillë.
Më 13 Mars 2024 do të prekte tokën shqiptare Bruno Çobo me pranga në duar. Ai ishte shpallur në kërkim ndërsa për disa kohë qëndroi në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ekstradimi i tij u shoqëruar asokohe me një postim të ish- ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.
“Me ekstradimin e thjeshtuar përmes deportimit, të realizuar sot nga Emiratet e Bashkuara Arabe është hapur një faqe e re e bashkëpunimit, me këtë vend mik dhe partner, në luftën kundër pandëshkueshmërisë”.
Ishte ky shënimi i Ballës i cili asokohe u shoqërua me skepticizëm e shumë pak besuan se do ti hapej rruga një kapitulli ko edhe bosët s’do kurseheshin.
E teksa Bruno Çobo para togave të zeza mohoi ekstradimin duke deklaruar se kish ardhur të përballej vetë më drejtësinë, Balla paralajmëroi nga godina e qeverisë se Dubai s’ishte më një parajsë për kriminelët.
Pesë muaj pas Çobos radha ishte për të prekur tokën shqiptare me pranga Plaurent Dervishi dhe Julian Meçe. Ata mbërritën në Rinas më 14 Gusht 2024 ndërsa para gjykatës së posaçme të dy mohuan të ishin ekstraduar.
Ende baza ligjore që i solli ata në Shqipëri mbetet e paqartë, ndërsa tashmë ata ndodhen të izoluar.
Më 2 Maj 2025 me pranga do të sillej në Shqipëri edhe Florenc Çapja. Sërish pretendimi i këtij personi para gjykatës së posaçme ishte se s’jam ekstraduar.
Edhe pse zyrtarisht nuk ka një datë, burime nga Interpol sqaruan për emisioni “FactCheck” se i kërkuari i radhës që pritet të ekstradohet nga Dubai është Durim Bami.
Tre persona të konsideruar të rrezikshëm për sigurinë e rendin në Shqipëri po ashtu janë lokalizuar dhe arrestuar për qëllim ekstradimi në Shqipëri. Ata janë për policinë ushtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Talo Çela, përkatësisht: Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika.
Në listën e bosëve të ekstraduar këtë herë jo nga Dubai por nga Turqia është edhe Dritan Rexhepi. Ky shtetas kërkohej nga disa vende europiane dhe Shqipëria mundi ta marrë pas një vendimi të gjykatës turke.