Kuvendi ka hedhur dhe një hap të rëndësishëm për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Me 96 vota pro dje është votuar si anëtar i gjykatës Altin Binaj. Votimi i tij ka shkaktuar debate në seancën e zhvilluar në Parlament mes deputetit të opozitës parlamentare Ralf Gjoni dhe nënkryetares së Kuvendit Vasilika Hysi.
Fillimisht Gjoni ka ngritur problemin e votimit të vetëm një emri nga kandidatët për Gjykatë Kushtetuese, atë të Altin Binajt. Ai u shpreh se nuk mund të votojë për një emër, kur duhet të ishin tre. “Sipas Kushtetutës, KED duhet të dërgojë një listë me 3 emra. Unë kam një fletë votimi vetëm me 1 emër. Kushtetuta më detyron të zgjedh 1 nga 3 emrat në listë. Dua të di se pse është futur një fletë e tillë votimi me 1 emër.
Pse neve sot duhet të votojmë siç bëmë përpara 1 viti. Dua të votoj realisht për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, por dua ta di kush e ka futur në votim”, tha Gjoni. Ndër të tjera ai deklaroi se kjo është shkelje e hapur e ligjit duke ngritur dhe problemin se në 12 muaj nuk gjenden dot 3 emra për të garuar në Kushtetuese.
“Në kushtet e jashtëzakonshme, ku në 12 muaj nuk gjenden dot 3 emra që të garojnë për Kushtetuesen, meqë gjykata nuk ekziston, hajde të thyejmë ligjin. Unë dua që të funksionojnë Gjykata e Lartë e ajo Kushtetuese dhe SPAK. Unë ndjej peshën e përgjegjësisë që sot nuk më jepet e drejta për të votuar 1 emër nga 3 të KED. Në 1 vit ne nuk gjejmë dot 3 veta për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjoni.
Përgjigjet Vasilika Hysi
Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi i është përgjigjur deputetit Gjoni, ku theksoi se është vlerësuar që të kandidojë dhe një emër i vetëm, në kushtet që ndodhet sistemi i drejtësisë për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti. “Kuvendi i Shqipërisë funksionon sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
Kemi parasysh ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Kandidaturat për në organet kushtetuese paraqiten në seancë me shkrim me jo më pak se 28 deputetë. Kuvendi i Shqipërisë e ka rishpallur vendin e lirë për këtë pozicion 4 herë dhe KED propozoi 1 kandidat. Është mbajtur nën zbatim dhe opinioni i Venecias. Kuvendi ka vlerësuar se funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është jetike, kërkohet nga të gjitha faktorët ndërkombëtarë.
Në këto rrethana është vlerësuar që të kandidojë dhe një kandidat. Nëse dëshirojmë që të kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale ne duhet të japim votën dhe ta votojmë kandidatin, i cili është në rastet e pakta që mori votë unanime”, tha Hysi.
Reagon Yuri Kim
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka përshëndetur votimin e anëtarit të 5-të të Gjykatës Kushtetuese Altin Binaj. Kim u shpreh se KED duhet të veprojë shpejt që të dëgjojë emrin te Presidenti në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, deklarata e Kim ishte dhe një mesazh se nuk do lejohen pazaret e KED me presidentin për dy vakancat e mbetura.
“Lajm i madh, Parlamenti miratoi gjyqtarin për Gjykatën Kushtetuese. Shqipëria tani ka nevojë për një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Ne shpresojmë që KED të dërgojë listën e kandidatëve tek presidenti sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është një arritje madhore, e cila do ta lëvizë Shqipërinë një hap më afër BE-së dhe pasqyron bashkëpunimin e fortë mes KED, Presidentit dhe Parlamentit”, tha Kim.
Ndër të tjera Kim theksoi se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë, ndërsa theksoi se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë. “Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por po bën përparim hap pas hapi dhe duhet të vazhdojë. Flamuri i Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht dëshirën e njerëzve të Flamurit të Shqipërisë për një sistem gjyqësor që është transparent, i drejtë dhe plotësisht funksional”, tha ambasadorja.