Chris LaCivita, strategu i njohur dhe i shtrenjtë, i kontraktuar nga PD në zgjedhjet e 11 Majit është rishfaqur sërish.
Në një postim në platformën X, LaCivita ka shpërndarë një shkrim të nënkryetarit të Partisë së Ilir Metës, Agim Neshos, me komentin: “Njihuni me Ramaduron: Autokrati progresiv i Evropës, i trajnuar nga Sorosi dhe armiku i Trumpizmit”.
Në fakt, shkrimi i Neshos është një përsëritje e akuzave të Berishës dhe Metës në drejtim të Ramës dhe të qeverisë së tij, të cilat e morën përgjigjen nga qytetarët në zgjedhjet e 11 Majit.
Gjatë fushatës, LaCivita nuk drejtoi komunikimin dhe strategjinë e opozitës, për të cilën u pagua shtrenjtë, por u përdor si kukull për t’i treguar shqiptarëve dhe votuesve se Berisha dhe PD ka mbështetjen e amerikanëve.
Ndërkohë që edhe tani pas zgjedhjesh, kur gjithçka është e qartë dhe rezultati është i mbyllur, LaCivita shfaqet sërish për t’u përdour si ‘amerikani’ që mbështet Berishën dhe Metën në luftën e brendshme politike, në një kohë që, sipas Neshos, evropianët e pranojnë dhe kanë mbyllur sytë përballë Edi Ramës.
Kjo rishfaqje e strategut të famshëm amerikan është ‘e justifikuar’ vetëm nëse në zgjedhjet që lamë pas Berisha dhe njerëzit e tij nuk i kanë bërë të tëra ‘shlyerjet’ tamam, kështu që ‘amerikani’ kërkon pjesën e mbetur dhe shpërndan shkrimet e Gimit të famshëm./ TEMA