Dekretimi i qeverisë së re në shtator pritet të sjellë krizë të fortë institucionale në vend. Planet ishin që Kushtetuesja të vendoste para shtatorit për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra, por gjasat janë që kjo të mos ndodhë.
Nëse Meta është president edhe në shtator, pyetja që shtrohet është se çfarë do të ndodhë me qeverinë e re? A do i dekretojë Meta, Ramën dhe ministrat? A do pranojë Rama të betohet para një presidenti të shkarkuar me urdhër të tij? Duket se do të kemi një rast të paprecedentë në shtator, ku nuk përjashtohen dhe përplasjet institucionale.
Së pari Meta nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit dhe po ashtu ka një konflikt të fortë me mazhorancën. Njerëz pranë tij kanë nisur të qarkullojnë fjalë se ai nuk do e dekretojë qeverinë e re.
Sipas procedurës, Meta duhet të thërrasë Parlamentin e ri dhe ai duhet të votojë dekretet për ministrat e rinj. Më pas të gjithë duhet të betohen para presidentit. Ka shumë pikëpyetje nëse Meta do e thërrasë Parlamentin e ri së pari. Ndërkohë nga ana tjetër do jetë shumë absurde çështja e dekretimit. Vendimi i Kushtetueses pak ditë më parë e izoloi Metën, por i la një dritare hapur, që ai mund të refuzojë ministra.
Pra edhe nëse nuk refuzon të gjithë qeverinë, shanset që Meta të refuzojë emra të përveçëm janë të shumta. Elementi tjetër është se kemi një president gjysmë të shkarkuar. Parlamenti e shkarkoi dhe tani pritet vendimi i Kushtetueses. Zgjedhjet i fitoi PS, partia që shkarkoi presidentin. A do jetë e hijshme për këtë qeveri që të betohen sërish te Meta? Sipas ligjit, Rama dhe të gjithë ministrat duhet të betohen në mënyrë që të marrin detyrën.
Rama dhe Meta janë ndarë totalisht dhe të gjitha këto tregojnë se në shtator do kemi një situatë aspak normale. Së pari gjasat që të kemi përplasje institucionale janë të mëdha, pasi Meta edhe mund të mos dekretojë qeverinë.
Elementi i dytë është te aspekti moral, pasi ministrat socialistë do të duhet të shkojnë te presidenti që shkarkuan. Meta ka dalë hapur kundër kësaj mazhorance, në zgjedhje punoi kundër saj, ndërkohë ka dhënë sinjale se nuk e njeh 25 prillin. Shtatori është afër dhe nisja e legjislaturës së re parlamentare pritet të ketë surpriza.
Sytë te Kushtetuesja
Fati i presidentit tani është te Gjykata Kushtetuese dhe vetëm ajo mund të shmangë çdo lloj situate. Nëse Kushtetuesja merr vendim para shtatorit dhe e shkarkon Ilir Metën, atëherë hyn në lojë Gramoz Ruçi. Pavarësisht se ai dha dorëheqjen dhe Kuvendi mbylli punimet, Ruçi ka mandat deri në datën 9 shtator.
Pra nëse ndodh që të kemi shkarkim të Metës para kësaj date, detyrën e merr Ruçi, pasi ligji e parashikon që kreu i Kuvendit merr rolin e Presidentit derisa të zgjidhet emri i ri. Nëse Meta shkarkohet do kemi një situatë tërësisht ndryshe, por nëse vendimi vjen pas 9 shtatorit, atëherë shanset për një përplasje mes Ramës dhe Metës për qeverinë e re janë të shumta.