Të korruptuarit në politikë, administratë apo sistemin e drejtësisë, duket se nuk do të përballen vetëm me dënime. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit është në hapat e parë, por në muajt në vijim priten surpriza.
Një rol shumë të madh kanë padyshim ndërkombëtarët, të cilët po bëjnë trajnime dhe po asistojnë në hartimin e rregullave dhe udhëzimeve me qëllim që sistemi i drejtësisë të mos jetë imun ndaj pushtetarëve.
Me reformën në drejtësi një ndër ligjet e ndryshuara është ligji Antimafia, i cili synon sekuestrimin e parave të pista. Risi e ndryshimeve të bëra është se në këtë ligj u përfshinë dhe veprat e korrupsionit.
Për të mos toleruar askënd, EURALIUS ka zhvilluar disa sesione trajnimi. “Më 2 qershor 2020, Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me EURALIUS, PAMECA dhe Projektin Italian AICS / CSM organizuan një trajnim online mbi Ligjin Anti-Mafia. Gjatë trajnimit, eksperti ndërkombëtar i EURALIUS mbajti një prezantim mbi Ligjin Anti-Mafia në sipas përvojës së Gjykatës Supreme Italiane.
Ndërsa eksperti i Projektit Italian AICS / CSM mbajti një prezantim për çështje praktike sipas përvojës italiane në zbatimin e Ligjit Anti-Mafia. Ekspertë të Shkollës së Magjistraturës prezantuan përvojën shqiptare dhe përmirësimet në efikasitetin e hetimeve, si dhe interpretimin dhe zbatimin e Ligjit Anti-Mafia nga perspektiva e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shkolla e Magjistraturës organizoi këtë trajnim në platformën e saj online. 30 magjistratë morën pjesë në trajnim duke treguar interes të lartë për temën dhe morën pjesë gjerësisht në diskutime”, thuhet në njoftimin e EURALIUS.
Detajet e ligjit Antimafia
Ligji i ri Antimafia, ka pjesë të tij dhe veprat e korrupsionit. Më përpara sekuestrim kishte vetëm për krimin e organizuar, por tani kushdo që dënohet për korrupsion mund t’i sekuestrohet pasuria. Por ndryshimet e bëra kanë krijuar lehtësira, pasi nuk do ketë sekuestrim në rrethe të gjera, por vetëm në nivel familjarësh. Në ligj janë treguar dhe rrugët që do ndiqen në rast se ka dyshime se një pasuri është vënë përmes drogës, trafiqeve apo korrupsionit.
Prokurori fillimisht nis hetimet për mjetet financiare, pasuritë, veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, nivelin ekonomik dhe burimet e të ardhurave të tyre, përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertëve. Verifikimet bëhen, në veçanti, nëse këta persona janë zotërues të lejeve, licencave, autorizimeve, koncesioneve dhe të drejtave të tjera për të ushtruar veprimtari ekonomike, tregtare dhe profesionale, si dhe për të verifikuar nëse ata përfitojnë kontribute, financime ose kreditime të çdo lloji, të dhëna apo të përfituara nga shteti, ente a persona juridikë publikë, organizma ose institucione ndërkombëtare, si dhe për të verifikuar nëse pasuritë, veprimtaritë apo të drejtat pasurore janë të përligjura.
Kur prokurori zbulon se ka elementë që tregojnë se pasuria është vënë përmes krimit i drejtohet gjykatës për të dhënë urdhër që ajo të sekuestrohet.
Ngritja e Byrosë së Hetimit
Teksa ndërkombëtarët po punojnë në prapavijë për ecurinë e reformës në drejtësi, gazeta ka mësuar se shumë shpejt do të zgjidhet dhe kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në fazën finale u kualifikuan: Aida Veizaj; Artur Beu; Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj. Sipas informacioneve, procesi për ta ka ngecur te verifikimi pasuror, pasi SHBA dhe SPAK po kryejnë hetime në prapavijë për pronat e 4 emrave të sipërpërmendur. Por mësohet se brenda këtij muaji pritet të përzgjidhet dhe emri i ri.