Shoferët e automjeteve, të parkuara dysh nëpër rrugët e Tiranës, deri sot gjobiteshin nëse efektivët e policisë i evidentonin. Tani e tutje, kryepolici Ilir Proda, paralajmëron që për këto shkelje të qarkullimit rrugor, shoferët të rrezikojnë burg.
“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht”, tha Proda.
Secili efektiv që do të konstatojë automjete të parkuara në mënyrë të parregullt në rrugë, përbri një makine të parkuar anë rrugës, si këto që Report Tv konstaton edhe gjatë një vëzhgimi këtë të enjte, në vendet e taksive, stacionet e autobusëve apo vendqëndrimin e biçikletave, do ta referojë çështjen në prokurori sipas nenit 293 të Kodit Penal, i cili citon: “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.
Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht – tha në një deklaratë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda.
“Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, vijoi Proda.
Aktualisht, këta drejtues që i parkojnë keq makinat dhe bëhen shkak për bllokimin e rrugës ndëshkohen me gjobë nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë ose me largimin e mjetit me karrotrec, por pavarësisht masave të shumta administrative të vendosura nga policia, shkelja sërish është përsëritur.