Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti sot një “marrëveshje vërtet të barabartë dhe të drejtë” me Shtetet e Bashkuara lidhur me qasjen në burimet minerare të Ukrainës – një marrëveshje që ishte objekt negociatash për javë të tëra.
“Marrëveshja ndryshoi ndjeshëm gjatë procesit të përgatitjes. Tani është një marrëveshje vërtet e drejtë që krijon mundësi për investime të rëndësishme në Ukrainë,” tha Zelensky në mesazhin e tij të përditshëm televiziv.
Sipas tij, marrëveshja nuk parashikon një borxh fillestar të Ukrainës ndaj SHBA-së, siç kishte kërkuar fillimisht presidenti amerikan Donald Trump, dhe synon krijimin e një fondi “për investime në Ukrainë dhe përfitime ekonomike këtu”.
Presidenti ukrainas theksoi se kjo marrëveshje hap rrugën për modernizimin e industrive në Ukrainë. Uashingtoni dhe Kievi nënshkruan dje në kryeqytetin amerikan një marrëveshje të gjerë bashkëpunimi ekonomik, në kuadër të së cilës do të krijohet një fond investimesh për rindërtimin e Ukrainës, e cila ka pësuar dëme të mëdha për shkak të luftës që po zgjat tashmë prej tre vitesh. Marrëveshja gjithashtu u garanton amerikanëve qasje të privilegjuar në burimet natyrore të Ukrainës.
Kjo marrëveshje vjen në sfondin e negociatave më të gjera diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur.