E hëna ka nisur me një sërë masash të liberalizuara, ku janë hapur restorantet dhe baret, si edhe janë kthyer në shkolla maturantët për kryer mësimin në ambientet e shkollës dhe për t’u përgatitur për provimet e maturës.
Maturantët janë shprehur se mësimi online kishte vështirësitë e veta dhe janë të kënaqur që janë kthyer në ambientet e shkollës, po njëherësh ndiejnë edhe frikë sa i takon pandemisë së COVID-19. Kështu, nën rregulla strikte higjeno-sanitare, maturantët i janë rikthyer bankave të shkollës pas rreth 3 muajsh mësim online nga shtëpi.
Nga vëzhgimet e kryera në disa nga gjimnazet publike të vendit, shkollat ishin të përgatitura me sinjalistikën e duhur, dezinfektues, postera informuese dhe garantimin e distancës së tavolinave. Për 3 javë maturantët do të rikthehen në shkolla për t’u përgatitur për provimet e maturës. Sakaq, me rregullat e reja, nuk do të lejohen më shumë se 10-12 veta në klasë dhe se mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme.
Gjithashtu mësimi do të zgjasë për 4 orë, nuk do të ketë pushim të madh dhe nuk do të lejohet dalja e maturantëve jashtë ambienteve të shkollës deri në përfundim të mësimit. Por ajo që ra në sy dje është fakti që 7 maturantë të gjimnazit “Qemal Stafa” nuk janë lejuar të futen në shkollë, pasi nga kontrolli mjekësor rezultoi se e kishin temperaturën mbi 37.5. Në korridoret e shkollave përveç sinjalistikës me shigjeta e pika të verdha, kishte dhe mësues që të siguronin që të respektohet distancimi fizik mes maturantëve. Sakaq, mësimi ka nisur në të gjithë vendin. Nën masa të rrepta sigurie maturantët në Lezhë i janë rikthyer dje procesit mësimor. 10 shkollat e mesme të kësaj bashkie janë përshtatur konform rregullave për mbrojtjen nga koronavirusi, ndërsa para se të hynin në klasë nxënësit janë pajisur me maska e doreza si dhe ju është matur temperatura. Edhe shkollat në Gjirokastër kanë pritur maturantët me sinjalistikë, termometër dhe dezinfektuesit në çdo bankë. 379 maturantë në bashkitë Gjirokastër, Dropull, Libohovë, kanë nisur mësimin në orën 08:00 për t’u përgatitur dhe konsultuar për provimet e maturës.