Mazhoranca pritet të mos i marrë parasysh pretendimet e presidentit Ilir Meta se do të digjej Kuvendi i Shqipërisë gjatë protestave të opozitës. Gazeta ka mësuar disa detaje, teksa përfaqësues të Partisë Socialiste pohuan se mazhoranca qeverisëse ka pasur dijeni për këto supozime që disponon kreu i shtetit, pasi të njëjtat informacione i kanë shkuar edhe kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshme, Sandër Lleshaj nga ana e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Burimet pohuan për gazetën se si Kryeministria, ashtu edhe Ministria e Brendshme nuk e panë të arsyeshme që të ngrinin alarmin, sikundër veproi presidenti Meta, pasi informacioni në fjalë ishte jo serioz. Nga ana tjetër, të njëjta burime theksuan për gazetën se informacioni në fjalë që ishte administruar nga SHISH nuk ishte fortë i qenësishëm, pasi ishte një muhabet kafeneje dhe se autorët që pretendon Meta se do të digjnin Parlamentin i kishin bërë këto deklarata apo plane në kushtet e entuziazmit, siç ndodh rëndomtë para protestave. Pra, Kryeministria dhe Ministria e Brendshme i injoruan këto informacione, pasi nuk përbënte ndonjë rrezik të kësaj natyre, sikundër pretendon Ilir Meta, i cili gjatë dëshmisë së tij para komisionit hetimor theksoi se i anuloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit, për të evituar gjakderdhjen dhe djegien e Kuvendit të Shqipërisë.
Madje, sipas informacioneve edhe vetë Shërbimi Informativ i Shtetit e raportoi si rast, jo se informacioni ishte serioz dhe se rrezikohej djegia e Parlamentit, por sepse e detyron ligji që çdo lloj informacion të kësaj natyre ta raportojë tek institucionet ligjzbatuese në vend. Thënë më troç, presidenti Ilir Meta në kushtet e panikut dhe pa i bërë skaner situatës, firmosi zhdekretimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Por kjo lëvizje “naive” e kreut të shtetit, sipas informacioneve mësohet se nuk do të merret në konsideratë nga mazhoranca, pasi nuk qëndron si justifikim dhe se për të Ilir Meta ka tejkaluar kompetencat kur anuloi zgjedhjet lokale.
Mazhoranca në pritje të raportit të Venecias
Të njëjtat burime nga mazhoranca, i pohuan gazetës se anëtarët e komisionit hetimor, sidomos ata të Partisë Socialiste janë në pritje të mbërritjes së raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Kështu, sipas informacioneve mësohet se sapo ky dokument të vijë dhe të administrohet nga komisioni hetimor, pritet që të thirret mbledhja e radhës e komisionit që po merret me shkeljet e kryera nga presidenti Ilir Meta para dhe pas 30 qershorit. Megjithatë, për të njohur më shumë se çfarë qëndrimi do të mbajë mazhoranca për çështjen Meta, gazeta kontaktoi disa nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët pohuan se mazhoranca qeverisëse është e vendosur për ta shkarkuar kreun e shtetit nga detyra, edhe pse në prapavijë po punohet nga ana e Metës, madje edhe ish-kryeministrit Sali Berisha që të kapen deputetët nga të dyja palët, në mënyrë që të mos sigurohen 94 votat e nevojshme për shkarkimin e tij nga detyra. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. /Rigels Seliman