Gjykata e Durrësit ka mbyllur hetimet për dosjen 339. Gjykata ka dënuar me burg 21 komisionerët e Shijakut, për akuzat e krimeve zgjedhore të ngritura nga Prokuroria për zgjedhjet e vitit 2017.
“Dosja 339” lidhet me një hetim të gjatë rreth një grupi të trafikut të drogës, të cilit në tetor 2018, iu gjet dhe sekuestrua një laborator heroine në Has. Grupi në fjalë, u pikas në përgjime të fliste edhe për blerje votash gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, kjo gjë bëri të mundur që autoritetet të nisnin një hetim paralel edhe për manipulimet e zgjedhjeve.
Ishte Prokuroria e Durrësit, e cila dërgoi në gjykatë 21 persona, shumica e të cilëve komisionerë, me akuzën e “lejimit me dashje” të votimit më shumë se një herë ose pa u identifikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Çështja për dosjen, fillimisht u hetua nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të procedimit të njohur si “Dosja 339”, por më pas iu delegua prokurorisë së Durrësit.
Kështu, Prokuroria e Durrësit, pas hetimeve të bëra, kërkoi dënim me burg për 21 komisionerët dhe gjykata vendosi që t’i shpallë fajtorë për akuzat e ngritura. Në fillim të hetimeve, Prokuroria kishte 23 të akuzuar, por për dy prej tyre rezulton se janë ndarë nga jeta gjatë kësaj periudhe kohore prej vitit 2017.
21 komisionerët u përkasin partive kryesore politike, po ashtu edhe partive të vogla si Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane. 14 prej tyre janë nga opozita (Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane) dhe 7 nga Partia Socialiste. 11 nga 21 komisionarët janë në burg, 8 janë në arrest shtëpie dhe 3 po hetohen në masën detyrim paraqitje.
Ndërkohë, disa prej të pandehurve kanë pranuar fajin dhe kanë përfituar ulje me 1/3 e dënimit. Të gjithë të tjerët janë dënuar me tre vjet heqje lirie iu mbeten 2 vjet dënim nga gjykimi i shkurtuar.
Zyrtarët e lartë i shpëtojnë dënimit
“Dosja 339” ka shkaktuar bujë të madhe, pasi dolën që të akuzuar ishin edhe shumë emra zyrtarësh të lartë. Në mesin e urdhër arresteve, ishin edhe disa zyrtarë lokalë, të cilët janë të implikuar në manipulimin e votës në 3 qendra votimi në Durrës, por këta të fundit mesa duket i kanë shpëtuar këtij procesi pasi nuk janë dënuar.
Ishin rreth 11 zyrtarë të Bashkisë së Durrësit për të cilët u vendos që të merren në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për llogari të hetimeve të dosjes “339”. Prokuroria për Krime të Rënda, nisi pak kohë më parë, marrjen në pyetje të zyrtarëve lokale të Bashkisë Durrës, pas publikimit të përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild” me matriale te shitura nga Lul Basha.
Nisur nga përgjimet e bëra publike organi i akuzës, ka ngritur dyshime të forta se personat që u morën në hetim, siguronin vota për llogari të partive, në këmbim të favorizimeve nga zyrtarët lokalë.