Presidenti Ilir Meta ka sulmuar dje hapur ambasadoren amerikane, Yuri Kim. Ambasada e SHBA u shfaq e keqardhur që ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk kaluan me konsensus, por u shpreh se drafti nuk shkel aspak paktin e 5 qershorit.
Por kjo deklaratë ka alarmuar presidentin Ilir Meta, i cili dje nga studio e “Ora News” e sulmoi hapur. “Shkelja e marrëveshjes së 5 qershore. Synon të hedhë në erë demokracinë në Shqipëri. Marrëveshja është shkelur për çdo njeri që i ka të dy sytë në ballë.
Nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri që rregullat e lojës të vendosën vetëm nga një palë”, tha Meta. Ai u shpreh se tashmë nuk ka më pse të dëgjohen më ndërkombëtarët, duke u shprehur se situatën e kanë në dorë qytetarët. “Tani arbitër është populli shqiptar, të lutem.
U lodhëm me këto muhabete, me këto historira. Nuk e di ku është nënshkruar, por unë di një gjë: o je shtatzënë o nuk je shtatzënë. Pak shtatzënë nuk mund të jesh”, tha ai më tej duke shtuar dosën e sulmeve ndaj ndërkombëtarëve dhe ambasadores së SHBA.
Nga ana tjetër Meta tregoi dje se i trembet sjelljes së kreut demokrat Lulzim Basha. Lideri i PD ka qenë i distancuar kohët e fundit, ndërsa Meta dje sulmoi për djegien e mandateve ndërsa i dha direktiva se si duhet të veprojë nga tani e tutje. “Djegia e mandateve u bë për interes të Edi Ramës për të kapur sistemin e drejtësisë. Ishte në interes për të kapur dhe institucionin e Presidentit të Republikës.
Po ashtu mospjesëmarrja në zgjedhje është sjellje tjetër e gabuar pse i kanë lënë fushë veprimi ndërkohë që opozita duhet të kishte luftuar. Opozita tani të jetë shumë herë më e përgatitur. Duhet të rrijë më shumë pa gjumë”, tha Meta. Më tej presidenti sulmoi edhe paktin e 17 majit Rama-Basha. “Viti 2017 ishte muhabet kundër zgjedhje dhe prandaj ndodhi ajo. Tani kemi një marrëveshje”, theksoi kreu i shtetit.
Planet e Metës
Presidenti foli dje për luftë me kryeministrin Edi Rama. Ai madje u shpreh se pasi të bëhen zgjedhjet do të mbajë një seancë parlamentare me dyer të mbyllura pa dhënë detaje se cila do të jetë arsyeja. “Unë e kritikoj Ramën dhe do ta luftoj politikisht në emër të shqiptarëve.
Edhe në parlamentin e ardhshëm do të bëj një seancë me dyer të mbyllura. Pavarësisht se Rama ka gjithë pushtet, ai punon natë e ditë për t’ia ngushtuar hapësirat opozitës. Atëherë opozita e ka të domosdoshme që të jetë shumë herë më e organizuar se sa Rama dhe junta e tij.
Opozita për meritë të Ramës, që është më i urryeri në Shqipëri. Çfarë interesi kishte Rama dhe pse nuk erdhi në dialog për zgjedhjet vendore. As opozitën nuk e përkraha për dy palë zgjedhje. Sepse Rama i ka shtyrë zgjedhjet në vitin 2007 me Olldashi.
E tha edhe Bundestagu se pa opozitën në zgjedhje nuk çelen negociatat, pse nuk vjen kur të thërret presidenti. Edhe të shkuarit në zgjedhje pa opozitën ishte nga frika”, tha ai. Po ashtu, Meta dje sulmoi dhe Komisionin Europian. Edhe pse KE u shpreh se janë përmbushur kushte dhe duhet të hapen negociatat, për Metën kushte nuk janë përmbushur.
Akuza ndaj Ramës
Meta foli dje për instalimin e një junte. Ai u shpreh se do e kthejë mbrapsht Kodi Zgjedhor dhe nëse nuk ka reflektim kërkoi nga shqiptarët që të ndëshkojnë me çdo mënyrë mazhorancën. Presidenti duket tejet i tensionuar dje çka tregon se është trembur nga lëvizjet e Ramës. Ajo që i vë kapak është se Meta ka sulmuar sërish të atin e Ramës. “Nuk jemi ne një popull që sikurse thotë ai vagabondi se popullit tonë nuk i ngrehet.
Ne jemi një popull i urtë dhe drejtë, por ne kur na vjen hasmi te dera, ne këndojmë pushkë në derë. Presidenti do të jetë në krye të popullit. O me demokracinë ose me djalin e Kristaq Ramës. Se thotë se babai ishte në anën e drejtë të historisë, por ai ka firmosur për të varur një poet në vitin ’88 kur po hapej bota. Ky babain nuk e ka pasur partizan. Rama provokon rendin demokratik dhe duhet të mbajë përgjegjësi.
Ose mbahet marrëveshje e 5 qershorit ose ka referendum. Nuk ka as liderë dhe as ndërkombëtarë që e çmendën popullin, por do të ketë epokë referendumesh për prekjen e Kushtetutës. Se u bënë ka kohë që e qeverisin vendin disa oligarkë që nuk njohin atdhe dhe asgjë. Ata bëjnë politikën dhe drejtësinë. Paguajnë prokurorë, gjykatës dhe mediat. Nuk duhet të ishte prekur kushtetuta fare”, tha ai.