Ilir Meta ka intensifikuar lëvizjet për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe reformën në drejtësi. Ashtu sikundër gazeta e paralajmëroi se me emërimin e Vitore Tushës në krye të KED presidenti do të tentojë të kapë emërimet e reja në Kushtetuese, realisht ashtu ka ndodhur. Edhe pse ambasadorja Yuri Kim i shkoi në zyrë Vitore Tushës dhe i dha direktiva të qarta, duket se plani “Meta” po ecën para.
Dje Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka mbajtur mbledhjen e tij të parë nën drejtimin e Tushës, pas largimit të Ardian Dvoranit. Në këtë mbledhje janë marrë disa vendime. Në rend dite ka qenë dhe analizimi i raportit të Komisionit të Venecias mbi emërimet në Gjykatën Kushtetues. “Sa i takon pikës së parë të rendit të ditës, KED vendosi të ngrihet një grup pune i përbërë nga anëtarja e KED, Znj. Saida Dollani dhe anëtarja zëvendësuese Znj. Marsida Xhaferllari, të cilat do të punojnë intensivisht mbi pasqyrimin e rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin nr.978/2020, datë 19 qershor 2020 “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” përsa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Këto rekomandime do të pasqyrohen në aktet rregullatore të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të bërë të mundur vijimin e procesit në tërësi mbi përzgjedhjen e kandidaturave për vendet vakante”, thuhet në njoftimin e KED. Por vendimi i djeshëm tregon qartë se Meta po bën lojë të fortë për të kapur Kushtetuesen. Marsida Xhaferllari është e emëruara e tij në Gjykatën Kushtetuese dhe për të u bë e gjithë lufta. Mund të ngrihet dyshimi se ajo është në konflikt interesi, pasi Kuvendi kërkoi opinion pikërisht për emërimin e saj. Skandali i dytë është se Xhaferllari është anëtar zëvendësues. Pra ajo hyn në lojë vetëm për të zëvendësuar anëtarin e Kushtetueses. Si mundet që një anëtar zëvendësues të kryejë një proces të tillë. Për të mos thënë pastaj që Meta bëri luftë të fortë për të dhe dihet se si do të jetë raporti në fund.
Emërimi i anëtarëve të tjerë
Momentalisht Kushtetuesja ka 3 anëtarë të rinj (përfshirë dhe Xhaferllarin), ndërsa janë 2 vakanca të presidentit dhe një nga Kuvendi. KED prej 6 muajsh ka punuar për këto vakanca dhe teksa pritej që të emëroheshin 3 emrat e tjerë, duket se vetëm dy do të emërohen. Si për çudi, vakanca që duhet të plotësojë Meta është shtyrë.
“Në lidhje me vijimësinë e përgatitjes së çështjeve të shortuara u bë me dije nga anëtarët relatorë se dy nga vakancat e përkohshme që i takojnë institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, janë përgatitur plotësisht dhe në një kohë sa më të afërt do t’u përcillen kandidaturave përkatëse. Lidhur me vakancën e tretë që i takon Presidentit të Republikës, nuk është përfunduar ende i gjithë procesi standard i verifikimit”, thuhet në njoftimin e KED.
Lufta e Metës për kapjen e KED
Presidenti Ilir Meta është në prag shkarkimi dhe që pasi mazhoranca nisi procedurat, ka filluar lëvizjet për të emëruar të besuarit e tij në Kushtetuese. Sipas ligjit, 3 anëtarë i emëron presidenti, 3 Kuvendi dhe 3 Gjykata e Lartë. Ardian Dvorani i prishi planet Metës, pasi në listën finale nuk futi një emër të besuar të Metës. Vetë Dvorani e ka thënë se pasi u rrëzua emri, Meta i dërgoi dhe shkresa ku e sulmonte.
Pastaj presidenti nisi luftën për largimin e Dvoranit nga KED duke bërë presione të vazhdueshme të KLGJ. Në fund presidenti korri sukses dhe tani KED drejtohet nga Vitore Tusha, e besuara e tij. Por skandali është se edhe pse ishte Kuvendi që kërkoi mendim nga Venecia, Meta ka marrë rolin e “Zeusit” dhe u jep direktiva institucioneve si të veprojnë./Kliti Topalli