Sot në Korçë, Doktori falenderoi publikisht Vrenozin që nuk u shit tek Rama.
Pas kësaj, Muli vendosi t’i bëjë një dedikim personal Vrenozit:
“I dashur Vrenoz
Si dhëndër korçar që jam, më ka bërë shumë krenar shprehja jote se ti dhe Doktori nuk e tradhtoni gruan.
Ky është një leksion i madh për ne të tjerët që duam ta nderojmë Korçën, ashtu si edhe ti.
Duke qenë i ndërgjegjshëm për presionin psikologjik që ke pasur nga Rama për të të blerë, jam shumë krenar që ti nuk u dorëzove, por pranove të jesh si unë dhe Doktori: njerëz të thjeshtë, pa pasuri dhe makina të shtrenjta.
Shembullin tënd duhet ta ndjekë çdo demokrat ditën e votimit, nëse i ofrohen para ose poste, ashtu siç duhet ta ndjekë çdo shqiptar i vërtetë që nuk blihet nga serbi apo greku, por qëndron si Sali Berisha përballë tyre.
Tani kam një propozim për ty që besoj do ta pranosh.
Pas 11 majit, kur të vijmë në pushtet, ti do të jesh simboli i njeriut të pakorruptuar dhe të pablerë.
Ne do të të lëmë përsëri njeri të lirë, të varfër dhe të thjeshtë, që të na kritikosh kur të vjedhim apo të shkelim ligjin.
Kjo është garancia jonë e madhe për ty: që ti të mbetesh simbol i demokratëve të këtij qyteti.
Për këtë do të kujdesem personalisht.
Të tjerët le të korruptohen e të bëjnë pasuri, por ti duhet të mbetesh kështu siç je, që Korça të ketë me se të mburret.”
Lelo i hodhi një sy të shpejtë letrës dhe e pyeti:
– Duhet të shtosh edhe një paragraf: nëse humbim më 11 maj, çfarë do bëhet?
– Po, çfarë do bëhet? Ashtu e ka të sigurt që kështu siç është, do mbetet.
Unë po e garantoj që do mbetet kështu… edhe po fituam.