Në një intervistë që ka dhënë së fundi, Teta Lili është shprehur se nuk është xheloze për Doktorin, sepse “nuk është nga ata burra që tradhtojnë”, siç tha ajo.
Deklarata e qetësoi shumë Mulin, pas aludimeve që ishin krijuar për stafin e Doktorit.
— Kjo gjë më qetëson, i tha Lelos.
Unë në një farë mënyre mbaj përgjegjësi për thashethemet për Doktorin, dhe fakti që Teta Lili është e qetë, na bën të gjithëve të jemi të qetë.
— Është e vërtetë, tha Lelo.
Dhe zonja Karo ishte shumë e lumtur më parë kur hyri në zyrë.
Më tha: “E lexove çfarë ka thënë Teta Lili?”
— Po, i thashë, e lexova.
Tha që e ka njohur Nënë Terezën kur ishte 13 vjeçe.
Pra, i bie ta ketë njohur në vitin 1962.
Në atë kohë Nënë Terezën nuk e njihte askush në botë, se ishte ende e panjohur.
Vetëm në vitet ’70 u bë e njohur.
Vetëm Teta Lili e ka njohur më parë.
— Jo, për Nënë Terezën jo, më tha zonja Karo, për atë që tha që nuk është xheloze për Doktorin!
— Ah, po, e dëgjova edhe atë, po s’më bëri shumë përshtypje, i thashë.
Se e di që Doktori është korrekt.
Por kjo e Nënë Terezës më bëri shumë përshtypje.
Si ka mundur një vajzë 13-vjeçare në Shqipëri, pa televizor dhe në një vend të izoluar, të njohë Nënë Terezën, e cila vizitoi për herë të parë Shqipërinë në 1989?
— Njerëzit që jetojnë me Doktorin kanë aftësi ndryshe, tha zonja Karo.
Bëjnë gjëra që ti nuk i imagjinon dot.
E kam provuar vetë këtë që kur e kam njohur Doktorin, më tha.
— Dakord, i tha Muli, e kuptova.
Por thuaj zonjës Karo se halli ynë është që të mos i bësh publike këto aftësitë ndryshe që të stimulon Doktori!